Speciale/ Kur trajneri i Shqipërisë ishte italiani Gianni De Biasi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2017 | 21:06

Speciale/ Kur trajneri i Shqipërisë ishte italiani Gianni De Biasi…

Speciale nga BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

KAPITULLI IV

VARFËRIA SHQIPTARE E MENDIMIT FUTBOLLISTIK

Ishin ndeshjet Zvicra-Shqipëria dhe Qipro-Shqipëria. Mirëpo, “propaganda” ndërroi kurs. Befas u shfaq një temë absurde që pyeste, nëse do të ishte apo jo prapë trajner Gianni De Biasi. Deri dhe nëse do të ishte kapiten Lorik Cana apo jo?! Apo tjetra: nëse do të vazhdonte më tej ky “projekt” i Federatës Shqiptare me Kombëtaren, apo jo?! E, pra, nuk kishte probleme më të parëndësishme se sa këto. Sepse De Biasi nuk ishte as Pozzo, as Herrerra, as Valcareggi, as Bearzott, as Sacchi, as Lipi, as Trapatoni, sa për të përmendur trajnerët e famshëm po nga Italia. De Biasi ishte një trajner profesionist i shkollës së shquar të trajnerëve italianë, të cilin Shqipëria e gjeti ndërsa bënte jo trajnerin, por analistin e futbollit.

Duke e nderuar teksa po e risillte në fushën e blertë, duke i dhënë prapë emër trajneri, ashtu siç i dha fort bukur edhe ai emër Shqipërisë përfaqësuese. Ndërkohë, kapitenët e skuadrave nuk përbënin assesi problem,sepse kudo ata ndërrohen, madje ka raste kur ndërrohen edhe nga ndeshja në ndeshje. Kurse për sa i përket “projektit” të FSHF-së me Kombëtaren, absolutisht nuk ishim në dijeni për ndonjë projekt kësisoji, përveç “atij” të braktisjes deri në mani të çdo talenti që mund të dalë nga Kampionatit Kombëtar i futbollit mbrenda mureve të Shqipërisë. Çka e shuante ëndrrën e të rinjve të fushave të blerta shqiptare për të veshë qoftë dhe fanellën e Kombëtareve 21 apo 19-vjeçare – humbëse të rregullta!

De BIAZI

Trajneri De Biasi me siguri po meditonte ndërkaq, teksa i thoshte mendja se ky qenka problemi kryesor i futbollit në Shqipëri: do të jetë apo nuk do të jetë ai trajneri i Kombëtares së shqiponjave. Kur para tij kjo Kombëtare kishte pasur trajner Ljubisa Brocic (madje Kampion i Ballkanit me te) i cili kishte arritur suksese të bujshme deri me Juventusin e Barcelonën! Kur para tij kjo Shqipëri e vogël, kishte pasur trajner Otto Baric-in, i cili njihej si ndër trajnerët më të mirë jo të Serie B të Italisë, por të Serie A të Europës!

Kur po aq kishte pasur trajnerë e pakta edhe nja tre ish-futbollistë kampionë e nënkampionë të botës si Giuseppe Dossena, Hans Peter Briegel apo Arie Haan. Pa sa për kapitenë skuadrash ajo kishte pasur sa të duash. Ndërsa “projekte” thuajse nuk kishte pasur kurrë. Dhe kështu, për fatin tonë jo të mirë, po rrezikonim që të dilnin para kohe jashtë vë- mendjes dy ndeshjet e fundit të Shqipërisë për Kupën e Botës 2014. Askush nuk po mendonte sikur Shqipëria t’i fitonte dy ndeshjet e fundit!

Do të shkonte në 16 pikë, çka do të mund t’i jepnin renditjen më të lartë në histori në kualifikimet europiano-botërore. Do të rritej tejet autoriteti i Kombëtares së Shqipërisë. Do të nxitej një klimë krejt tjetër për vetë futbollin përfaqësues shqiptar. Mirëpo, me sa po shihej për Shqipërinë, gjithçka kishte marrë fund me humbjen në Reykjavik, edhe pse ajo kishte ende edhe 20 për qind të ndeshjeve për të luajtur. Mëkat!

Të dukej se në Shqipëri po humbiste vlera e futbollit si shfaqje, si dukuri edukuese e çlodhëse e shoqërisë njerëzore, si sport që ndikon fort në formimin e rinisë, si spektakël i etikës e po të duash dhe i estetikës shpirtërore, si garë prove e forcave të karakterit, vullnetit, talentit. Dhe mbrenda 100 orëve po “harrohej” se Shqipëria kishte edhe dy ndeshje për të luajtur. Të cilat nuk i kishte për kampionatin e kooperative bujqë- sore, por për Kampionatin e Botës!

Ato ditë i thirra kujtesës për të zgjuar gjumin e harresave të mëdha. Shkrova: “…Në kualifikimet për Kupën e Botës 1966, Shqipëria vinte te ndeshja e fundit, 24 nëntor 1965, me Irlandën e Veriut, mbasi i kishte humbur të 5 ndeshjet e zhvilluara. Dhe barazoi 1-1, duke mos e lënë atë për 1 pikë të vetme të shkojë në fundoret (finalet) e Londrës. Ajo ishte një Irlandë e Veriut, ndër më të fortat në histori dhe që në Tiranë vinte krejt e sigurtë, duke pas në krye Nënpresidentin e FIFA-s, Harry Cavan. Ishte një Irlandë me emra të tillë si Jeninngs (Tottenham), Neill (Arsenal), Makinrlroi (Stock City) apo legjendari Best (Machester United). Dy vjet më vonë, prapë Shqipëria mbërrinte te ndeshja e fundit e saj në grup, për Kampionatin e Europës, ajo e 17 dhjetorit 1967, përballë Nënkampiones së Botës, Gjermanisë së Helmut Schön-it.

de biazi

Dhe ishte një Shqipëri prapë me 0 pikë dhe pa shënuar as edhe 1 gol të vetëm. Por 0-0 me Gjermaninë, rezultat që shkaktoi eliminon e bujshëm gjerman, të protagonistëve të tillë si Schulz, Patzke, Weber, Hotges, Overat, Netzer. Të dy ndeshjet bënë bujë botërore. Ishin ndeshjet e fundit në grup pra, të cilat trajneri Loro Boriçi, në kushte tejet të vështira trajtimi, i sendërtoi me urtësi, largpamësi dhe këmbëngulje të rrallë.

Ky është futbolli. Që thotë se gara vazhdon. Vazhdon jo me kontrata të parakohshme e të panevojshme trajnerësh, por më parë me daljen në fushën e lojës të skuadrave që synojnë dhe që luajnë e dinë të luftojnë deri në minutën e fundit të ndeshjes së fundit. Dy rastet ’65 dhe ’67 ishin dy ndeshjet e fundit të grupit. Ashtu si sot. Por me një ndryshim të madh: asokohe Shqipëria vinte te këto ndeshje jo si sot me 10 pikë, por me 0 pikë. Dhe bëri dy sensacione botërore. Kuptojeni tash se sa më të rëndësishme janë dy ndeshjet e fundit datuar tetor 2013, këto me Zvicrën dhe Qipron. Vetëm mbas tyre do të ishte mirë të flitej nëse do të jetë apo jo Gianni De Biasi trajner i Shqipërisë…”. Kështu shkrova.

ZVICRA E SHQIPTAREVE TË KOSOVËS

Fundi po afrohej me mbërritjen në Tiranë të Zvicrës. Çka do të sanksiononte të padëshiruarën: rrëshqitjen e Shqipërisë. Dhe ka qenë një çast për të cilin nuk di nëse sot më 2017, kemi mundur të nxjerrim sadopak mësime. Shqipëria do të humbiste 1-2 dhe do të shkonte në “origjinën” e saj: e parafundit në grupin e saj. Ka qenë 11 tetor 2013 në Tiranë. Shqipëria-Zvicra 1-2. Madje deri në të 89′ është 2-0 për Zvicrën dhe Shqipëria që ngushton në 1-2 me 11- metrëshin e Salihit.

Dhe?… Kori i pamëshirshëm i tifozëve të saj që fyen deri sa s’ka ku shkon më, lojtarët shqiptarë të Kosovës, shtetas të rritur e formuar si futbollistë në Konfederatën e Zvicrës. Një stadium i tanë fyen me fjalorin më kundërnjerëzor futbollistët shqiptarë të Kosovës, të cilët luanin për Zvicrën. E vërteta ishte se e pakta qysh dy vjet më parë, në shkrime e “analiza” televizive, për fat të keq të nxitura vetvetiu deri dhe prej njerëzve pranë futbollit, këta djem ishin quajtur “tradhtarë”, ngaqë nuk kishin pranuar të luanin për Shqipërinë. Shkrime, intervista apo komente televizive janë aty dhe është mirë t’iu kthehen, për të kuptuar se si një mjedis i caktuar “propagandistik” shqiptar i paduruar, ka nxitur më e pakta përçmimin për këta djem të racës shqiptare. Përçmim që natyrisht është injektuar te tifozët për të mbërritur te skenat e turpshme të ndeshjes së 11 tetorit 2013. I keni harruar?…

de biazi

Diku këta djem të talentuar u emërtuan si “emigrantë tanë të brezit të dytë”. Duke harruar se ata nuk ishin assesi emigrantë as të brezit të dytë e as të brezit të parë të Shqipërisë. Ata ishin qytetarë të Kosovës dhe juridikisht dhe shtetësisht nuk kishin assesi të bënin me Republikën e Shqipërisë. Madje, për hir të së vërtetës, prindërit e tyre deri para pak kishin qenë shtetas të Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë, me pasaportat e së cilës edhe kishin emigruar.

Po, ndërkaq, këta djem natyrisht që nuk i përkisnin ishJugosllavisë, por shteteve të Zvicrës, Belgjikës apo Gjermanisë që iu kishin dhënë shtetësinë e re. Që do të thoshte se këta të ashtuquajtur “emigrantë të brezit të dytë”, nuk ishin të Republikës së Shqipërisë, por të Republikës së Kosovës, tash shtet i pavarun. Ndërkaq, nga ana sportive ata kishin krejtësisht formim zviceran, belg apo gjerman. Deri edhe “tonët” Mavraj, M.Basha, Abrashi, V.Basha, Gashi, Mehmeti, L.Sadiku, zyrtarisht më parë kishin luajtur me Kombëtaret e 21- vjeçarëve të Gjermanisë, të Zvicrës dhe të Suedisë. (Tashmâ Kombëtaren e Shqipërisë mund ta quanim dukuri gjeopolitike europiane për t’u studiuar).

Natyrisht, me Shqipërinë këta djem të talentuar të Kosovës, i lidhte kombësia e njëjtë, dashuria për të. Pa harruar kurrsesi që, nëse ata dëshironin të vinin dhe të luanin për Kombëtaren e Shqipërisë, mirë se të vinin. Ashtu siç dhe disa prej tyre kishin ardhur. Por që zbaraspesha (çekuilibri) i mendësisë sportive të arrijë deri aty saqë në dy ndeshjet e fundit të Kombëtares dhe të asaj të 21-vjeçarëve të luanin plot 15 futbollistë shqiptarë të Kosovës, kjo sigurisht që nga njëra anë të dukej një lloj ekspansioni i paarsyeshëm, që cenonte jo pak vlerat e futbollit të mbrendshëm të Republikës së Shqipërisë.

de biazi

E vërteta ishte se edhe kështu Shqipëria ishte për herë të 8-të e parafundit në kualifikimet euro-botërore (radhazi në 3 edicione të fundit) në grupin e saj, me gjithë rritjen e nivelit teknik të saj! Ndërkaq, shqiptari i Zvicrës Valon Behrami i deklaronte “France Football”-it se “Zvicra më dha mua një të ardhme. Unë i detyrohem asaj gjithç- ka”. Zvicra shumetnike 23 për qind e popullsisë të së cilës janë të huaj, me siguri që midis 270.000 shqiptarëve të Kosovës, të cilët jetonin atje, do të përgatiste talente të tjerë. Prapë ju kujtoj atë që duket se po aq e keni harruar. Shqipëria e futbollit kishte mbërritur deri në ngritjen e kampingjeve në tokën helvete për të zbuluar në fshehtësi futbollistë, çka e shqetësoi edhe Federatën e Futbollit të Zvicrës. Kur ndërkaq, dukej që Shqipërisë po i dilte kundër edhe Kosova, e cila po priste anëtarësimin në FIFA.

Gazetaria kosovare, e shkruar dhe e folur, e atyre ditëve sapo kishte dhënë shê- jat e para të kundërshtimit. E ndërsa po shkonte në “origjinën”e saj, për te vendi i parafundit në grup, do të ndodhte episodi i atij që para kohe po quhej ylli e ri i Manchester United, një qytetar i Mbretërisë së Belgjikës, prodhim futbollistik i Brukselit me emrin Adnan Januzaj, të cilin vetëm, ngaqë prindërit e tij ishin shqiptarë, shpërthen Shqipëria. Shpërthen me emisione, shkrime, komente e analiza të pafund për të nxitur edhe rrëmbimin e tij për fanellën e kuqe të Kombëtares së saj, e cila sapo ishte renditur e 34-ta në Europë midis 53 shteteve që luanin për kualifikimet e Brazil 2014. Januzaj ishte vetëm 18 vjeç. E pakta mbrenda dy vjetëve Kosova do të ishte anëtare e FIFA-s. Januzaj do të bëhej 20 vjeç. I takonte Kosovës të merrej me të qysh ato ditë. Por ai do ta “braktiste” edhe Kosovën, teksa do të vishte fanellën e Belgjikës që e kishte rritur dhe që e kishte formuar.

Edhe ky episod hynte te “keqkuptimi” kombëtarist i politikës sportive të Shqipërisë. Edhe pse doja t’i flakja tej thirrjet e turpshme të tribunave të stadiumit kombëtar kundër futbollistëve shqiptarë të Kosovës nën ngjyrat e Kombëtares së Konfederatës së Zvicrës, nuk arrija. Si gazetar, ajo që po arrija, ishte të shkruaja deri në librin tim të fundit “Shqipëria dhe Kupa e Botës” se Shqipëria në ndeshjen e saj të 11 tetorit 2013 kundër Zvicrës kishte luajtur me plot 7 futbollistë shqiptarë të Kosovës: Berisha, Rama, Gashi, Abrashi, Mavraj, Cana, Mehmeti. Ndërsa Zvicra me plot 5 lojtarë shqiptarë të prejardhur po prej Kosovës: Behrami, G.Xhaka, Shaqiri, Mehmedi, Dzemaili! Ky ishte sensacioni i krejt historisë së futbollit europian, ku dy Kombëtare të dy shteteve të ndryshme kishin paraqitur 12 lojtarë të të njëjtës kombësi! Katër ditë më vonë, Shqipëria do të shkonte në Qipro po për Kupën e Botës dhe barazim 0-0. Normale, por që nuk ndryshonte asgjë. Shqipëria si “zakonisht” në vendin e parafundit. Pamja përfundimtare ishte kjo:

KUPA E BOTËS 2014 *

GRUPI E I EUROPËS

Ekip P. F. B. H. Gol.

1. Zvicra 24 7 3 0 17-6

2. Islanda 17 5 2 3 17-15

3. Sllovenia 15 5 0 5 14-11

4. Norvegjia12 3 3 4 10-13

5. Shqipëria11 3 2 5 9-11

6. Qipro 5 1 2 7 4-15

Shqipëria kishte zhvilluar disa ndeshje të bukura, ndërsa ne kishim guxuar të përmendnim edhe mundësinë e vendit të parafundit mû në kulmin e euforisë!…Nuk mund të krenoheshim për këtë. Por për fat të keq, kjo ndodhi: Shqipëria ishte renditur e parafundit në grup! Trajneri Hans Peter Briegel qëndronte ende mbi italianin Gianni De Biasi. Në Edicionin e Kupës së Botës 2006, gjermani e kishte renditur Shqipërinë në dy parafundit me 13 pikë dhe 4 fitore, epërsi e qartë kjo përballë “vendit të parafundit të Gianni De Biasi me 11 pikë dhe 3 fitore. Ndonëse një përimtim na thoshte se ndryshimi i Shqipërisë së De Biasit me vendin dytë të grupit në grup ishte tejet më i ngushtë (- 6 pikë) se sa ai i Shqipërisë së Briegel-it me vendin dytë (-10 pikë). Sigurisht, askush nuk u hynte këtyre përimtimeve.

Të dukej si një duel në largë- si midis dy trajnerëve, të cilët në referendumin tim të “trajnerit më rezultativ” zinin dy vendet e para në 50 vjet pjesë- marrje euro-botërore të Shqipërisë. Ende kryesonte gjermani Hans Peter Briegel. Çfarë do të ishte më tej Shqipëria e Gianni De Biasi-t? Kjo ishte një pyetje vërtet enigmë. Sigurisht nëse vërtet ai do të vazhdonte të ishte përsëri trajner i Shqipërisë, teksa shumëkush po thoshte nën zë se ai nuk do të ishte më tej…

* Për vazhdimësi shih Kapitujt I, II, III në “Panorama Sport” të 27 qershor, 13 korrik, 4 shtator 2017

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"