Spartak Meraku bëhet aksioner, Maliqi i frikshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2019 | 20:40

Spartak Meraku bëhet aksioner, Maliqi i frikshëm

Maliqi vijon prej afro 2 javësh përgatitjet për gjysmën e dytë të sezonit, duke sfiduar edhe kushtet e vështira atmosferike në juglindje të vendit. Me vetëm 1 pikë diferencë nga kryesuesit e Shkumbinit, skuadra e drejtuar nga dyshja Malësija-Mema duket në rrugën e duhur për përmbushjen e objektivit, që është ngjitja historike në Kategorinë e Parë.

spartak meraku

Në kampin bardhekuq atmosfera është më shumë se pozitive. Veç afrimeve, nuk ka munguar merkatoja as në kryesinë drejtuese të klubit. Ish-presidenti e Bilisht Sportit, Spartak Meraku, i cili pas një periudhe pushimi, ka kaluar aksioner te Maliqi. Biznesmeni i suksesshëm është një njohje e vjetër e futbollit shqiptar, teksa ka drejtuar skuadrën e Bilishtit për afro 20 vite.

Ai i është përgjigjur pozitivisht ftesës për bashkëpunim, të bërë nga presidenti Gëzim Topçiu dhe objektivi primar i tij është kontributi për ngjitjen e skuadrës në Kategorinë e Parë. Me afrimin e Merakut në grupin e aksionerëve, Maliqi duket më i shëndoshë se kurrë financiarisht.

Pesë është numri i futbollistëve të afruar deri në këto momente, ku spikasin portieri Beshiri dhe 2 mbrojtësit Zeqo dhe Ndoci, si dhe rikthimi në shtëpi i dy mesfushorëve të talentuar Tako dhe Agolli. E megjithatë, merkatoja nuk ka përfunduar ende. Mësohet se klubi është në negociata edhe me disa lojtarë cilësorë, emrat e të cilëve do të bëhen publikë në ditët në vijim. Në kuadër të përgatitjeve për fazën e dytë të kampionatit, Maliqi ka planifikuar ditën e sotme një miqësore me ekipin e Pogradecit, që militon në Kategorinë e Parë.

Ildi Merolli

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"