Sot ndeshjet/ Kupa si shans për rezervat, por kujdes… “Sport Radar”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2019 | 9:40

Sot ndeshjet/ Kupa si shans për rezervat, por kujdes… “Sport Radar”

Kupa e Shqipërisë merr jetë sot me ndeshjet e para të turit të parë kualifikues, teksa në 16 stadiume apo fusha sportive, do të luajnë skuadra të Kategorisë Superiore, të Parë dhe të Dytë. Me përjashtim të Apolonia-Kamza, që pritet të mos zhvillohet, për shkak se klubi nga periferia e kryeqytetit nuk është organizuar ende, në të 15 të tjerat do të luhet normalisht, por sigurisht me skuadra që e kanë seriozisht këtë kompeticion dhe të tjerat që e shfrytëzojnë për aktivizimin e të rinjve.

07-19-ftsportsradar__05

Duke qenë se turi i parë është me sistem vajte-ardhje dhe jo eliminim direkt me një ndeshje, është bërë modë që ky raund u jep mundësinë klubeve të hedhin në fushë rezervat. Për shumicën e skuadrave të Superiores, Kupa është një objektiv real, pasi përmes saj fiton të drejtën e pjesëmarrjes në turin e parë të Ligës së Europës. Mirëpo, ky kompeticion dhe veçanërisht në turet e para të tij, është ekspozuar shumë dhe ka qenë gjithnjë në shënjestrën e kompanive më të mëdha të monitorimit të basteve në Europë.

Raportet që UEFA ka dërguar në FSHF për ndeshje të dyshuara si të trukuara kanë qenë të shumta gjatë viteve të fundit. Madje, edhe vetë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka thënë publikisht se më shumë raporte për ndeshje të dyshuara kanë ardhur pikërisht për ato që janë luajtur në Kupën e Shqipërisë. Kompania që monitoron lëvizjet e basteve, “Sport Radar”, natyrisht që edhe sot do të jetë e vëmendshme ndaj ekipeve shqiptare, prandaj edhe këto të fundit duhet të bëjnë kujdes, pasi mund ta pësojnë keq. UEFA dhe “Sport Radar” po ju vëzhgon, kujdes…!

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"