SOT, 14:00/ Apolonia U-19, për mrekullinë e radhës kundër Hajduk Splitit në “UEFA Youth League”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2022 | 9:42

SOT, 14:00/ Apolonia U-19, për mrekullinë e radhës kundër Hajduk Splitit në “UEFA Youth League”

Apolonia U-19 luan sot në orën 14:00 në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit ndeshjen e parë të vlefshme për turin e dytë të Ligës së Kampioneve për të rinj kundër kroatëve të Hajduk Splitit. Pasi eliminuan në turin e parë kazakët e Astanës, fierakët kërkojnë të bëjnë një tjetër mrekulli “UEFA Youth League”.

apolonia u19

Prej tri ditësh ekipi i drejtuar nga Bledar Borova ka qenë i grumbulluar në Durrës, ndërsa stërvitjen e fundit e ka kryer dje në stadiumin “Arena Egnatia” të Rrogozhinës.

Në këtë seancë, për të motivuar të rinjtë, ka qenë i pranishëm edhe numri një i klubit fierak, Koço Kokëdhima.

Këtë herë Apolonia do të luajë ndaj kampionëve të Kroacisë dhe shkalla e vështirësisë është e madhe, por fierakët do të tentojnë të bëjnë gjithçka në këtë ndeshje të parë, për të mbajtur hapur shpresat për kualifikim në sfidën e dytë që do të luhet më 2 nëntor në Split.

TRAJNERI Të rinjtë fierakë u bënë ekipi i parë shqiptar që kalon një tur në Ligën e Kampioneve dhe kjo për trajnerin Bledar Borova është një arritje shumë e madhe. Arkitekti i suksesit të Apolonisë ka folur për “Panorama Sport” në prag të përballjes me Hajdukun.

“Kjo arritje e jashtëzakonshme u arrit falë punës sonë sistematike dhe gjithashtu mbështetjes së pakursyer të klubit. Dhamë një shembull të shkëlqyer për të gjitha ekipet e tjera në Shqipëri. Kjo skuadër mund të arrijë gjithçka, sepse ka një grup lojtarësh fantastikë, që kanë fituar mjaftueshëm eksperiencë dhe maturi, sidomos me paraqitjet e tyre në Kombëtaret e moshave. Pa asnjë diskutim që kjo eksperiencë europiane u vlen shumë këtij grupi, sidomos në këtë moshë të re, që janë vetëm e vetëm për të krijuar e besuar një mentalitet që nuk kanë asgjë më pak se sa bashkëmoshatarët e tyre në Europë”, ka thënë fillimisht Borova, për t’u ndalur më pas te ndeshja e sotme dhe kundërshtari kroat.

“Prej disa ditësh jemi stërvitur intensivisht dhe kemi përgatitur me kujdes detajet e fundit të kësaj sfide. Mund të them me bindje të plotë se jemi gati për t’u përballur me Hajdukun. Gjendja fizike e lojtarëve është relativisht e mirë, prandaj me strategjinë tonë të mirëpërgatitur do të synojmë rezultatin pozitiv. Skuadra është shumë mirë dhe e vetëdijshme për forcën e saj, por njëkohësisht dhe të kundërshtarit. Mbështetja e tifozëve është një faktor i rëndësishëm që mund të na shërbejë shumë, sepse djemtë në këtë moment kanë nevojë për mbështetjen, kurajën dhe motivimin e tyre”, përfundoi trajneri i U-19.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"