“Skuadrën e vlerësoj 10 me yll, absurd kufizimi brenda qarkut”, Idrizi: Flamurtari ka kullë roje, nuk ulet çdo avion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 8, 2022 | 11:47

“Skuadrën e vlerësoj 10 me yll, absurd kufizimi brenda qarkut”, Idrizi: Flamurtari ka kullë roje, nuk ulet çdo avion

Sinan Idrizi është i surprizuar nga ky Flamurtar. Pret në vazhdim atë që bëri fazën e parë. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport, administratori Idrizi tha se nuk ka ulur standardet edhe pse skuadra gjendet në këtë kategori. Idrizi e shikon absurd faktin se FSHF nuk lejon më shumë se pesë lojtarë jashtë qarkut. Administratori ka edhe një mesazh për vlonjatët që kanë luajtur te Flamurtari dhe nuk kanë respektuar fanellën: “Sado të venë e të vijnë avionë, pista e Flamurtarit është e madhe dhe e gjerë, por ka edhe kullë vrojtimi. Kulla e rojës nuk lejon më që të ulet çdo avion në pistën e Flamurtarit”.

IDRIZI

Idrizi, do të ketë afrime Flamurtari gjatë kësaj merkatoje?

Në fakt, jemi të kufizuar me pesë lojtarë brenda qarkut. Është absurd ky rregull dhe nuk e kuptoj aspak këtë gjë. Por, nuk kemi se çfarë të bëjmë, do ta respektojmë dhe jemi të kufizuar. Nuk sjellim dot lojtarë nga jashtë.

Jeni në bisedime me lojtarë vlonjatë?

Mendojmë se do të afrojmë dy-tre djem që janë me karakter. Jemi në bisedime dhe kemi folur me trajnerin. Resuli i ka pëlqyer, por do të shikojmë. Bëhet fjalë për lojtarë të akademisë. Siç e thamë, jemi të hapur edhe për ndonjë lojtar tjetër vlonjat, por jo nga ata që nuk e kanë respektuar Flamurtarin. Ata ta harrojnë se do të kthehen më!

Çfarë prisni nga ekipi në fazën e dytë?

Atë që bëri në fazën e parë. Këtë pres, asgjë më shumë.

Çfarë vlerësimi i jepni skuadrës në fazën e parë?

10 me yll. Ishte një skuadër spektakël. Jam shumë i kënaqur.

Ndiheni i befasuar?

Nga fryma e lojtarëve, patjetër. Shumica e tyre nuk ishin vlonjatë, por e respektuan uniformën edhe më shumë nga ata që ikën, këta vlonjatë. Dilemë e madhe, nëse më i rëndësishëm është aeroplani apo pista. Sado të venë e të vijnë avionë, pista e Flamurtarit është e madhe dhe e gjerë, por ka edhe kullë vrojtimi. Kulla e rojës nuk lejon më që të ulet çdo avion në pistën e Flamurtarit.

Ka rivalë Flamurtari në këtë kategori?

Kam respekt për të gjithë. Këta tanët janë histori tjetër. Rivalë kanë vetëm veten e tyre.

Si ju është dukur kjo kategori?

Klasike e futbollit shqiptar. Ky stan këtë bulmet ka. Por ne jemi munduar që mos i ulim standardet lojtarëve dhe të bëjmë ndryshime. Kemi rënë aksidentalisht apo jo në këtë kategori, kjo mbetet për t’u parë, por nuk i kemi ulur standardet, që nga pagesat, baza materiale e çdo gjë tjetër.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"