Skolari: Do doja ta kisha shmangur Kilin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2014 | 23:53

Skolari: Do doja ta kisha shmangur Kilin

SkolariBrazili e bind më shumë nga ndeshja në ndeshje. Por Luiz Felipe Skolari do donte ta kishte shmangur përballjen me Kilin në 1/8-at. Trajneri karioka u trembet rivalëve amerikanojugorë, edhe pse ata nuk i kanë mundur kurrë në Botëror. “Ndihem i qetë pas kualifikimit dhe e di që nga ndeshja në ndeshje do bëjmë paraqitje edhe më të mira. Unë kam luajtur dy herë kundër Kilit dhe i njoh se sa rivalë të vështirë që janë. Disa njerëz mendojnë se ne do i mundim lehtësisht, por nuk është e vërtetë. Ata janë një skuadër me shumë cilësi dhe e mirorganizuar. Nëse do kisha mundësinë të zgjidhja kundërshtarin tonë në 1/8-at, atëherë nuk do t’i kisha zgjedhur. Në fazën e grupeve mund t’i lejosh vetes ndonjë gabim, por tani do jetë fatale”, tha Felipao. Brazili dhe Kili janë rivalë të vjetër. Ata janë përballur 68 herë mes tyre, ku bilanci flet për 5 herë kampionët e Botës (48 fitore, 7 humbje dhe 13 barazime me një golavarazh 159-58). Që kur Skolari është rikthyer në stol, ai është përballuar dy herë me “La Roja”-n.
Nejmari – 65-vjeçari përpiqet ta mbajë në tension skuadrën, por ai e di mirë që ka Nejmarin, i cili po mban premtimin dhe po shkëlqen me fanellën e vendit të tij. 22-vjeçari la pas Ronaldinjon (33 gola) dhe Rivaldon (34 gola) me dopietën që i shënoi Kamerunit (35 gola në 52 ndeshje me përfaqësuesen). Tanimë ai është shënuesi i gjashtë më i mirë në historinë e Brazilit dhe shikon përpara tij Bebeton me 39 gola, Romarion me 55, Ronaldon me 62, Zikon me 66 dhe të madhin Pele me 77 gola. Nejmar është bërë shënuesi më i mirë në historinë e kombëtares për moshën e tij. Ai ka shënuar dopietë kundër Kroacisë dhe Kamerunit: Kujtojmë që asnjë lojtar brazilian nuk ka shënuar dy dopieta brenda një edicioni të Botërorit. Nejmar barazoi gjithashtu rekordin e vendosur nga Ronaldo në 1998- n, me 4 gola në fazën e grupeve.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"