Skënderbu po zhgënjen edhe në Kategorinë e Parë. Zguro: Shpërdoruam shumë, boll me alibi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2022 | 16:13

Skënderbu po zhgënjen edhe në Kategorinë e Parë. Zguro: Shpërdoruam shumë, boll me alibi

Skënderbeu nuk e ka gjetur ende fitoren e parë në kampionat dhe këtë “krizë” lojtarët po e vuajnë shumë. E nisën sezonin me pretendime madhore, por pas 270 minutash nuk janë ata që e diskutojnë Kategorinë e Parë. E megjithatë, Vangjel Zguro mendon se kjo fazë do të kalojë shpejt dhe kundër Luzit do të nisë kthesa e madhe. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, kapiteni u ndal gjerësisht te humbja me Orikun dhe rastet e shpërdoruara.

zguro

“Të them të drejtën, më vjen keq që kemi shpërdoruar aq shumë raste shënimi në këtë takim. Ka qenë një ndeshje e kontrolluar tërësisht nga ana jonë, aq sa kemi pasur mundësi të kalojmë në avantazh shumë herë, por nuk kemi arritur t’i shfrytëzojmë ato mundësi. Më pas jemi ndëshkuar nga një gol në limite që na ka penalizuar në rezultat. Ajo që mua më vjen keq është se vijojmë të falim shumë raste dhe duhet të jemi më konkretë. Shpresojmë që të jetë diçka momentale dhe shumë shpejt çdo gjë të zgjidhet. Janë lojtarë që po punojnë prej pak kohësh bashkë dhe shpresojmë që zgjidhja të vijë sa më shpejt”, tha fillimisht mbrojtësi.

KAMPIONATI – I ndalur te risia e një kampionati të tillë, kapiteni i Skënderbeut nuk ka kërkuar alibi, por ka bërë apel për më shumë përgjegjësi dhe përqendrim nga të gjithë lojtarët për të marrë maksimumin në ndeshjet e radhës. “Normalisht Kategoria e Parë ndryshon shumë nga Superiorja dhe ka specifika të tjera që e bëjnë të ndryshme sjelljen dhe interpretimin. Gjithsesi, ne jemi një grup i mirë lojtarësh shqiptarë që e njohim këtë nivel dhe e dimë se si funksionon kjo kategori. Përshtatja kërkon kohën e vet, por nuk kemi pse nxjerrim alibi. Duhet të japim më të mirën tonë duke filluar që nga ndeshja e radhës”, vijoi kapiteni i Skënderbeut.

REAGIMI – Zguro paralajmëron se me Luzin do të nisë kthesa. “Ta nisësh me dy pikë në tri javët e para, normalisht që është problem. Dramë nuk mund të them, por as diçka që duhet ta marrim lehtë. Duhet reagim dhe t’i lëmë fjalët, por të reagojmë në fushë. Ky nuk është vendi ynë dhe për tjetër objektiv jemi këtu”, përfundoi kapiteni i Skënderbeut.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"