Skënderbeu në “sulm” për kreun, Takaj karikon ekipin para Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 11, 2023 | 22:30

Skënderbeu në “sulm” për kreun, Takaj karikon ekipin para Dinamos

Skënderbeu kërkon maksimumin në ndeshjen e së hënës ndaj Dinamos. Korçarët të vetëdijshëm se do të kërkojnë tri pikët për të mbajtur të hapur garën për vendin e parë dhe në të tilla kushte vetëm fitorja i bën korçarët që të jenë të qetë dhe plotësisht të përfshirë në garë.

Takaj

Pikërisht për këtë arsye bardhekuqtë kanë pasur një takim me presidentin Ardjan Takaj, i cili ka motivuar në një farë mënyrë të tijtë, duke mbajtur lart frymën e grupit dhe dëshirën për të bërë mirë. Në një takim të zhvilluar ditën e djeshme, numri një i klubit ka përgëzuar të tijtë për impenjimin dhe përfshirjen që kanë pasur në ndeshjet e fundit që në momentin kur Ivan Gvozdenoviç është ulur në krye të pankinës korçare.

Në të tilla kushte, Takaj ka kërkuar nga ekipi që të vijojnë me të tilla paraqitje dhe impenjim. Ajo që numri një i klubit ka kërkuar në mbledhjen e djeshme ka qenë hapja e garës për titull, garë e cila rihapet vetëm në rast se Skënderbeu fiton ndaj Dinamos, ose minimumin, një barazim mes palëve. Por duket se në kampin korçar presin vetëm fitoren. Ndaj nuk përjashtohet që Takaj të ketë caktuar edhe një premio për lojtarët në rast suksesi ditën e hënë në kryeqytet.

Përgatitjet – Nisur nga takimi me presidentin dhe objektivat që Skënderbeu ka për këtë sezon, duket se do të ndryshojë edhe qasja që korçarët do t’i bëjnë këtij takimi kaq delikat dhe të rëndësishëm me Dinamon. Në kushtet kur edhe objektivat janë maksimale dhe kërkesa është tejet specifike për të mbajtur të hapur garën për vendin e parë.

Ndaj edhe për këtë duket se korçarët do të rikthejnë vetëm për këtë takim imazhin e Skënderbeut të madh, që shkon në çdo ndeshje për të marrë maksimumin. Gvozdenoviç është i gatshëm të bëjë një hap të tillë, ndaj edhe provat e formacionit duket se po bëhen shumë herë më ndryshe se në ndeshjen e fundit.

Me Rapën gati të rikuperuar dhe me shumë mundësi të përfshirë në formacionin që do të startojë ndeshjen ndaj Dinamos, korçarët janë gati për një reshtim ultraofensiv në ndeshjen e radhës. Nga një reshtim 4-1-4-1, bardhekuqtë po provojnë të zbresin në fushë me skemën 4-3-2-1, për t’i dhënë më shumë mundësi aftësive sulmuese të lojtarëve që kanë në përbërje.

Një skemë që tregon qartazi se korçarët do të kërkojnë me çdo kusht të fitojnë takimin e së hënës, për të rihapur kampionatin dhe për të pasur objektiv kryesor vendin e parë në renditje.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"