Skënderbeu kthehet në “kantier”, e shtang Besa në miqësore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 3, 2020 | 11:00

Skënderbeu kthehet në “kantier”, e shtang Besa në miqësore

Skënderbeu shtanget nga Besa. Kavajasit kanë fituar me shifrat 1-2 në miqësoren e zhvilluar dje në Durrës. Korçarët ishin kthyer në një “kantier”, duke parë numrin e lartë të lojtarëve që u provuan në këtë 90-minutësh. Veç emrave të një sezoni më parë dhe mbrojtësit me përvojë Ditmar Bicaj, pjesë e formacionit ishte mbrojtësit Amer Duka i ardhur nga Luftëtari dhe Altin Govori e Mario Zhelegu. Ky i fundit, madje, shënoi edhe golin e vetëm të bardhekuqve. Gjatë lojës morën minuta Paolo Ivani, Joan Çelaj, Arenc Mateli, Aleksandër Bimaj, Vasil Tuni, Donald Bogdani, Beri Luka, elbasanasi Holker Suvaria, Aleksandër Tereziu. Të gjithë këta janë në vështrim, ndaj mbeten në pritje të verdiktit të stafit teknik. Edhe te Besa luajti për të parën herë Alsid Tafili, si edhe tre lojtarë të ardhur nga kampionati kosovar të datëlindjeve 2000-2001, qendërmbrojtësi Donard Vitija, mesfushori Besmir Osmani dhe mbrojtësi i majtë Laert Xhakolli.
Skenderbeu-Besa
MIQËSORJA – Miqësorja nisi në orën 17:45, në një kohë që ishte parashikuar për në 17:00. Për shkak të shumë prurjeve të shumta dhe mbingarkesës së stolit, u zgjat ca më tepër nxehmja para ndeshjes dhe rrjedhimisht 15- minutëshi i fundit u mbyll me dritën e projektorëve. Loja startoi me kavajasit në sulm, megjithatë ajo gjuajtje e Peqinit u bllokua prej Dajsinanit. Kur nuk pritej, ishin korçarët që shënuan. Në të 9- ën minutë, nga një hutim i mbrojtjes kavajase, topi mbetet në zonë dhe Zhelegu zgjatet dhe e çon sferën në rrjetë. Ky lojtar, në fakt, me lëvizshmërinë e tij e shqetësoi edhe disa herë të tjera prapavijën dhe portën e Besës. E megjithatë, ky fraksion nuk ndryshoi më asgjë.
Skenderbeu-Besa-logo
E dyta nisi me ndërrime të shumta për korçaret, ndërsa kavajasit preferuan të ishin më të kursyer dhe të mos bënin eksperimentime të ekzagjeruara. U pa gjithashtu luajtja me një disiplinë taktike të admirueshme në të tria repartet. Vlen të veçohet forma e Bledar Lilës, i cili në të 56-ën minutë barazoi shifrat me një goditje vërtet të bukur. Por ai që përmbysi edhe rezultatin, mund të quhet pa frikë eurogol. Ishte e 61- ta minutë kur Peqini, me një veprim tejet të bukur, nxori “xhap” dy mbrojtës dhe portierin e ri Ymeri. Edhe pse Besa e dominoi fraksionin e dytë, nuk e gjeti më golin. Tentativat e Skënderbeut nuk munguan, por dështuan.
pjimage
AMBIENTI – Ardjan Takaj dhe Nexhat Bizhdili ishin në “Tropikal” këtë duel miqësor, të shoqëruar prej Ilir Biturkut (trajnerit të Kombëtares U-20). Në momentin që Besa barazoi Skënderbeun, Julian Ahmataj dhe ndihmësit e tij “braktisën” vendin normal te pankina dhe nisën ta orientonin ekipin nga krahu përkarshi i fushës, edhe pse zhurma e automjeteve aty ishte shqetësuese.

skeda

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"