Skënderbeu bind trajnerin, Ahmataj: Kemi ende për të korrigjuar, por kjo skuadër do të ecë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2020 | 11:35

Skënderbeu bind trajnerin, Ahmataj: Kemi ende për të korrigjuar, por kjo skuadër do të ecë

Skënderbeu po bind gjithnjë e më shumë dhe Julian Ahmataj nuk ka si të mos jetë i kënaqur nga grupi. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport” ai vlerëson përgjegjshmërinë dhe shpirtin e sakrificës të lojtarëve.

Ahmataj

“Kishim nevojë për këto ndeshje, pasi pamë në total të gjithë gjendjen e futbollistëve që kemi në dispozicion. Për këtë arsye zgjodhëm që të luanim dy miqësore këtë fundjavë, për të testuar më mirë gjithë grupin. Mund të them se kam marrë përgjigje nga një pjesë e mirë e futbollistëve, të cilët kanë treguar përgjegjshmëri dhe shpirt sakrifice. Nëse luhet gjithmonë me këtë përgjegjësi dhe përqendrim, mund të them se ky ekip do të ecë shumë.

Kemi djem të rinj dhe kjo më mbush me besim se këta djem duan të tregojnë vlerat e tyre dhe do të japin maksimumin. Normalisht kemi gjëra për të rregulluar dhe do të mundohemi që me kalimin e ditëve të përmirësojmë manovrën dhe të jemi më të balancuar në të dyja fazat e lojës, megjithëse imponimi që ekipi ka karshi kundërshtarit më pëlqen”, theksoi fillimisht Ahmataj.

I pyetur për formën e Belajdi Pusit, trajneri në mbyllje shprehet: “Kur një sulmues shënon, normalisht që gjithkush ndihet mirë. Më vjen mirë që Pusi po gjen vijimësinë e golave dhe kjo do ta ndihmojë të rritet. Është një pikë e rëndësishme për ne dhe shpresojmë që të vijojë kështu edhe në vijim gjatë kampionatit”.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"