Skenari i FSHF-së, presidenti Bizhdili: Jemi në dijeni, Besa për Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2019 | 10:33

Skenari i FSHF-së, presidenti Bizhdili: Jemi në dijeni, Besa për Superiore

Skenari i mundshëm për përfshirjen direkt të Besës në Superiore, si vendi i dytë i Grupit B të kampionatit të fundit, ka krijuar një situatë entuziaste në qytetin e Kavajës. Të gjithë kanë filluar të besojnë se mund të ndodhë kështu dhe sezonin e ri Besa do të ndeshet me më të mirët e futbollit shqiptar.

Bizhdili

Por, a është gati kjo skuadër për t’u përfaqësuar në futbollin elitar që këtë sezon? I pyetur rreth kësaj çështjeje, presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, pohon së pari se ka qenë në dijeni të situatës prej më shumë se një muaji.

“Jemi në Shqipëri, një vend i vogël, ku merret vesh gjithçka para se të ndodhë. Mund të them se ka më shumë se një muaj që e di situatën në Gjirokastër, pasi ne presidentët flasim me njëri-tjetrin. Po ashtu, gjithçka mësohet edhe nga lojtarët, të cilët kontaktojmë”, thekson presidenti Bizhdili, duke iu referuar situatës së Luftëtarit, që mund të zbresë nga kategoria.

Bizhdili Besa

Numri 1 i ekipit kavajas garanton më tej se Besa është gati për të marrë pjesë në Superiore, por pranon se duhen bërë disa afrime lojtarësh cilësorë. “Personalisht, isha dhe jam përgatitur për kthimin në Superligë që këtë sezon. Për Besën para çdo sezoni kam investuar gjithmonë për Superligën, pavarësisht situatave apo momenteve që na kanë dënuar.

bizhdili magani

Kështu do të bëj edhe këtë sezon, edhe pse kur flitet për Superligën do të më duhet të operoj në mënyrë urgjente për afrimin e disa lojtarëve me përvojë. Me këtë kontingjent që kemi, plus 3-4 afrime, mund të garojmë në Kategorinë e Parë, ndërsa për Superligën natyrisht që kërkohen më shumë përforcime. E kam shumë të qartë këtë gjë, ndaj dhe jam në kontakte me disa futbollistë, të cilët kanë përvojë në elitën e futbollit shqiptar me skuadra të ndryshme.

Për momentin kaq mund të them, të tjerat le t’ia lëmë kohës”, e ka përfunduar presidenti i kavajasve prononcimin e tij për “Panorama Sport” sa i takon çështjes së kthimit të menjëhershëm të Besës në Superiore.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"