Skema e Kategorisë së Parë, Mërgjyshi: Ndryshim i vonuar, tani ka garë reale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2019 | 21:36

Skema e Kategorisë së Parë, Mërgjyshi: Ndryshim i vonuar, tani ka garë reale

Pas ndarjes së grupeve të Kategorisë së Parë dhe përcaktimit të modaliteteve që do të ndiqen për sezonin 2019-2020, ka ardhur edhe reagimi i trajnerit të Apolonisë, Artan Mërgjyshi. Sipas tij, nuk do të jetë një kampionat i lehtë, përkundrazi.

mergjyshi

Mërgjyshi vlerëson pozitivisht ndryshimet në pjesën fundore të kompeticionit: “Jemi njohur me ndarjen e grupeve për edicionin e ri dhe impakti i parë është: do të jetë kampionat i vështirë, – thotë Mërgjyshi. – Lushnja është ekip tradite dhe gjithmonë aty për të rivalizuar; Besa konkurroi fort me Bylisin sezonin e kaluar; Pogradeci është përherë një ekip serioz apo edhe Orikumi më ambicioz, pasi doli i treti në një kampionat debutues. Jo vetëm kaq. Nuk shoh kundërshtarë të lehtë në grupin tonë. Devolli vjen me plot besim dhe i motivuar; Iliria dhe Shënkolli janë ekipe të forta dhe e njohin mirë këtë kampionat; Elbasani është në kërkim të lavdisë së dikurshme dhe Turbina luan fort. Këto janë thjesht përshtypjet e jashtme, kampionati do ta tregojë qartë dhe nuk do të jenë çudi as surprizat”.

FORMULA – Për ndryshimin e formulës pas fazës së dytë të Kategorisë së Parë, kryepankina fierake shprehet se duhej një ndryshim mbase edhe më herët për këtë kompeticion.

“Mendoj se janë ndryshime pozitive dhe që mund të bëheshin edhe më parë. Gjithsesi, formula e re krijon më shumë garë reale. Përgjysmimi i pikëve dikur ka qenë absurd. Katër skuadra për elitë, ku e para ngjitet direkt dhe e dyta ka mundësinë “play-off”, e forcon luftën sportive në fazën përmbyllëse, sikurse besoj edhe në nënndarjen ‘e mbijetesës’. Është rritje e garës sportive, një shans më shumë për ekipet e Kategorisë së Parë që duan Superligën. Dua të theksoj se ky modul është propozuar nga drejtori ynë sportiv, Olsi Bregu”, ka thënë Mërgjyshi.

MERKATO – Duket si stonaturë së jashtmi, pas lakimit të disa emrave në një moment të caktuar dhe pastaj u platit gjithçka në pistën e afrimeve tek Apolonia. Vetëm largimet janë të konfirmuara, asnjë përforcim zyrtar. Kjo është pjesa e dukshme, pasi fierakët vijojnë në projektin e tyre për përforcimin e skuadrës me lojtarët që i duhen trajnerit Mërgjyshi.

Nëse Mehmeti zgjodhi Kastriotin, Apolonia ka arritur akordin dhe është gati të firmosë me Jurgen Voglin, qendërmbrojtësin e Egnatias, mesfushorin beratas Gelando Sharavolli, mesfushorin e Besës Alked Çelhaka dhe mbrojtësin e djathtë të Dinamos, Marlind Nuriu. Po ashtu, dinamoviti tjetër, 20-vjeçari Jurgen Vrapi, që ka luajtur edhe për Tiranën, është bërë pjesë e projektit të Apolonisë. Zyrtarizimet e këtyre lojtarëve mbeten thjesht formalitet, ndërkohë që nga Ekuadori pritet të vijnë deri më 18 korrik, kur nis faza përgatitore, 4 futbollistët e evidentuar nga menaxherët e klubit. Priten edhe 3 brazilianë, 1 nigerian dhe 2 serbo-boshnjakë, që do të testohen nga trajneri Mërgjyshi.

Bujar Rama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"