Skandali me fondet e UEFA-s, reagon FSHF: Nuk ka pasur transferta bankare në llogari private apo të dyshimta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2021 | 14:34

Skandali me fondet e UEFA-s, reagon FSHF: Nuk ka pasur transferta bankare në llogari private apo të dyshimta

Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar sot pas skandalit të publikuar nga “Panorama Sport” në lidhje me bllokimin e llogarive bankare të institucionit të futbollit për transferime të paligjshme të fondeve të UEFA-s.

fshf

Institucioni i futbollit, ka garantuar se nuk ka bërë asnjë transfertë të parregullt, se ka bërë transaksione vetëm në llogari zyrtare të klubeve, si dhe se nuk i ka të bllokuara llogaritë e saj.

“Federata Shqiptare e Futbollit informon se në artikullin e publikuar ditën e sotme nuk ka asnjë të vërtetë të vetme! Llogaritë e FSHF-së në bankat e nivelit të dytë në vend nuk janë të bllokuara dhe kjo mund të vërtetohet lehtësisht nga kushdo.

Në të njëjtën kohë dëshirojmë të saktësojmë se në marrëdhëniet e Federatës së Futbollit me anëtarët e saj, në asnjë rast të vetëm, nuk ka pasur transfertë bankare në llogari private apo të dyshimtë, siç pretendon kjo media. Çdo transfertë bankare është kryer në llogaritë zyrtare të klubeve. Institucioni i futbollit në vend është ndër të paktat institucione që të gjithë veprimtarinë financiare e kryen nëpërmjet sistemit bankar, duke qenë transparent dhe duke paguar çdo detyrim ndaj autoriteteve shtetërore. Federata nuk ka asnjë konflikt apo detyrim ndaj asnjë Zyre Përmbarimore në Republikën e Shqipërisë”, shkruhet ndër të tjera në komunikatën e FSHF-së.

Ajo më pas ka vazhduar me reagimin e zakonshëm nevrike dhe sulme personale ndaj mediave, diçka që është bërë e zakonshme sa herë që zbulohen skandale të këtyre përmasave që fatkeqësisht ky institucion prodhon me vazhdimësi. Një shpërthim  tërësisht qesharak, të cilin kushdo që është i interesuar mund ta lexojë në faqen zyrtare të këtij institucioni.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"