Skadon afati për anglezët, Elbasani mbetet në ajër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 10, 2016 | 12:10

Skadon afati për anglezët, Elbasani mbetet në ajër

Elbasani luan sot ndaj Shkumbinit në Rrogozhinë, pas disa ditësh të mbushur me probleme dhe përjashtime nga skuadra. Probleme, të cilat nuk dihet kur do të marrin një zgjidhje përfundimtare, por shpresohet që ato të mos reflektohen në fushë ditën e sotme.

Në fakt, do të jetë një shqetësim më vete për teknikun Muharrem Dosti që të përzgjedhë titullarët për këtë derb, pas përjashtimit të katër lojtarëve të formacionit dhe dënimit të mbrojtësit Aldo Bella.

elbasani rrogat

Anglezët

Ditën e sotme skadon edhe afati për kompaninë “Level Up Sa” që të derdhë përfundimisht paratë në klub për blerjen e aksioneve, në mënyrë që të bëhet edhe juridikisht pronare e klubit të futbollit. Sipas kontratës që është firmosur tre muaj më parë, thuhet se nëse nuk paguhen paratë brenda këtij afati, atëherë edhe kontrata bëhet nul dhe ajo do të zhbëhet, duke rrezikuar në këtë mënyrë edhe shitjen e klubit.

Mirëpo, sipas burimeve të “Panorama Sport”, nuk ka asnjë gjasë që të tregohen korrektë me afatet dhe normalisht sipas kësaj pike në kontratë gjithçka do të hidhej në erë. Gjithsesi, edhe kjo gjë nuk pritet të ndodhë, sepse është arritur një marrëveshje që t’i jepet akoma më tepër kohë kësaj kompanie për të paguar shumën që duhet për të blerë aksionet e klubit (rreth 1 milion euro). Sipas të gjitha gjasave, duhet pritur fundi i vitit edhe për të konkretizuar edhe marrëveshjen.

elbasani rrogat1

Skandali

Një ditë më parë, gazeta publikoi rrëfimin e lojtarit të Elbasanit, Enkel Alikaj, i cili tregoi se klubi u kishte ndërprerë edhe ushqimin një javë përpara se të përjashtoheshin nga ekipi për organizim të bojkotit. Një rrëfim që nxori në pah edhe gjendjen skandaloze në të cilën ndodhet klubi verdheblu.

Gazeta kontaktoi dje me administratorin e klubit, Florenc Kushi, por ai nuk ka dashur të komentojë. Gjithashtu, është kontaktuar edhe kryebashkiaku, Qazim Sejdini, i cili po ashtu nuk ka reaguar. Ndërsa trajneri Dosti ka thënë: “Nuk është çështja ime. Unë jam trajner, u përket drejtuesve kjo pjesë”.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"