Siti sot pret Lutonin, Guardiola: Nëse Rodri nuk dëshiron të luajë, atëherë nuk do të luajë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2024 | 9:32

Siti sot pret Lutonin, Guardiola: Nëse Rodri nuk dëshiron të luajë, atëherë nuk do të luajë

Trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola, thotë se është i gatshëm të kursejë Rodrin pasi mesfushori tha se kishte nevojë për një pushim pas ndeshjes së Champions-it kundër Realit. Mesfushori 27-vjeçar, ka luajtur 41 ndeshje këtë sezon dhe tregoi pas duelit të së martës në Ligën e Kampioneve ndaj Real Madridit se Siti po planifikonte ta pushonte.

guardiola rodri

Skuadra e Guardiolës luan sot në Etihad me Lutonin në Premier Ligë. “Nëse një lojtar nuk dëshiron të luajë, atëherë ai nuk do të luajë, thjeshtë”, tha menaxheri i Mançester Sitit në konferencën e djeshme. Barazimi 3-3 i së martës ndaj Realit në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampioneve i bëri 429 ditë dhe 66 ndeshje që kur Rodri ka humbur një ndeshje pa luajtur për Sitin në çdo kompeticion. Në pesë ligat më të mira të Evropës, vetëm tre lojtarë kanë bërë më shumë starte se spanjolli këtë sezon, mbrojtësi i Arsenalit, Uilliam Saliba (42 ndeshje si titullar) dhe dy portierë. Ai ka humbur katër ndeshje në Angli për shkak të pezullimit këtë sezon, me “qytetarët” që i humbën të katërta.

“Hidhini një sy ndeshjeve tona dhe më pas kuptoni. Ai është kaq i rëndësishëm për cilësinë që jep”, shtoi Guardiola, skuadra e të cilit vjen në fundjavën e Premier Ligës në vendin e tretë në tabelë, me shtatë ndeshje të mbetura. “Kam ndjesinë se në ndeshjet kur ishte i lodhur si kundër Kristal Palasit dhe Madridit, ai ishte më mirë në pjesën e dytë, vrapon më shumë dhe ishte më preciz në pjesën e dytë se në të parën. Më shumë se sa fiziku, është një rast i shpenzimit të energjisë mendore. Duke luajtur çdo tre ditë, sigurisht që është i lodhur, pasi ka luajtur shumë minuta”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"