“Sikur ta kishte shënuar atë gol”, Gjimshiti engjëll dhe djall, shikoni si vlerësohet për ndeshjen ndaj PSG-së

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2020 | 15:32

“Sikur ta kishte shënuar atë gol”, Gjimshiti engjëll dhe djall, shikoni si vlerësohet për ndeshjen ndaj PSG-së

“Sikur Gjimshiti të shënonte atë gol, apo të kishim shfrytëzuar më mirë ndonjë kundërsulm tjetër, tani do ishim ne në gjysmëfinale”. Fraza e Xhanpiero Gasperinit pas ndeshjes së djeshme flet për një rast që vërtet mund të ishte shfrytëzuar më mirë nga mbrojtësi shqiptar, i cili ndoshta, nëse do të kishte goditur me të majtën dhe jo me të djathtën, ndonëse topi i erdhi papritur në shtyllën e dytë, Gjimshitin mund ta kishin bërë edhe kryebashkiak në Bergamo.

gjimshiti

Gjithsesi, Berati, pavarësisht pengut të madh, punën e tij e bëri, luajti 60 minuta të një niveli shumë të lartë përballë Nejmarit dhe Ikardit, ndërsa me Mbapenë u shkëmbye rrugës, kur shqiptari po ulej në stol, ndërsa francezi po zbriste në fushë. Pavarësisht kësaj, 27-vjeçari meriton duartrokitje, ashtu sikurse e gjithë Atalanta dhe mbi të gjitha vendosi një rekord personal, pasi asnjë shqiptar tjetër nuk kishte mundur më parë të luante një çerekfinale Champions-i (ndërkohë edhe Taulant Xhaka u ndal në çerekfinalet e Ligës së Europës, dy net më parë).

Por tani, për të tentuar që të shkohet më lart sesa bënë sivjet, Gjimshitit me shokë i mbetet ta provojnë sezonin tjetër, pasi kjo Atalantë nuk rresht së mahnituri vit pas viti.

NOTA 6.5 – Sipas uebsajtit “Tuttomercatoweb”, mbrojtësi zikaltër meritoi notën 6.5, për 60 minutat e luajtura, por nëse do të kishte transformuar në gol rastin e minutës së 57-të, do të meritonte notën 8: “Të verdhin e marrë shumë shpejt e shpenzon në mënyrën e duhur, sepse teksa sheh Ikardin që e driblon, e frenon si të mundet dhe ishte zgjedhje e duhur, kurrsesi një gabim.

Ndërkohë, pjesën tjetër të ndeshjes e menaxhon me shumë qetësi, ndonëse sa herë që kalon gjysmëfushën e tij, duket sikur topi i djeg këmbët dhe gabimet nuk mungojnë. Por e vërteta është se Championsi nuk është Seria A dhe duket. Në një rast edhe mund të shënonte (rasti i minutës së 57-të), madje provoi një devijim tjetër të rrezikshëm (rast në minutën e 48-të), por pa pasur fat. Në të 60-ën ia lë vendin Palominos”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"