Shulku: Do të diskutojmë me Ministrinë e Shëndetësisë për testimet e lojtarëve, asnjë problem nëse kampionati nis në…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2020 | 23:50

Shulku: Do të diskutojmë me Ministrinë e Shëndetësisë për testimet e lojtarëve, asnjë problem nëse kampionati nis në…

Sekretari  i FSHF-së Ilir Shulku theksoi se nëse qeveria mban premtimin për të hapjen e bizneseve të mëdha, duke përfshirë dhe sportin, atëherë futbolli mund të rinisë aktivitetin në 31 maj.

ilir shulku

Për emisionin “Dribbling” të “FaxWeb”, Shulku theksoi se do të diskutohet dhe mundësia nëse do të kryhen teste për lojtarët në momentin që ata do të rikthehen në fushë.

“Rifillimi i kampionatit shqiptar – Shpresojmë të gjithë që të fillojmë në 31 maj, ashtu siç ka premtuar qeveria. Nëse ndodh kështu, është një datë shumë e mirë, pasi nuk cënohet aspak kalendari dhe nuk do të kemi ngjeshje të ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë. Në këtë mënyrë do të përfundojmë në fillim të gushtit.

Rinisja e stërvitjes së plotë të skuadrave – Po komunikojmë vazhdimisht me klubet dhe do të caktojmë një afat për të rinisur përgatitjet e plota. Mendoj se dy javë përgatitje janë mëse të mjaftueshme për skuadrat që të marrin veten.

Testimi anti-koronavirus për skuadrat – Nuk kemi komunikuar ende me Ministrinë e Shëndetësisë, por do të diskutojmë më tej. E mira do të ishte që të gjithë të kryenin teste. Nëse do të ketë rënie të numrit të të infektuarëve, mendoj se Ministria e Shëndetësisë do ta lejojë rifillimin e grumbullimeve të skuadrave”, u shpreh sekretari i FSHF-së Ilir Shulku.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"