Shuhet tensioni nga forcat speciale, ja përse u ndez ndeshja e Kategorisë së Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 6, 2020 | 13:49

Shuhet tensioni nga forcat speciale, ja përse u ndez ndeshja e Kategorisë së Parë

Një ndeshje mjaft e tensionuar u luajt të shtunën në “Reshit Rusi” mes Veleçikut dhe Tërbunit. Fituan pukjanët 2-3, ndërsa koplikasit kanë kontestuar fuqishëm gjykimin e Bebjes dhe pas ndeshjes është krijuar një situatë e rrëmujshme, që më pas u stabilizua nga forcat speciale të Shkodrës. Pas fitores së rëndësishme, Tërbuni ka qëndruar gati një orë “i ngujuar” në dhomat e zhveshjes.
terbuni-puke-fk-veleciku-koplik-8689985
Pjesa e parë ishte me ritëm dhe me gola. Veleçiku e nisi në sulm dhe Trumci rrezikoi dy herë, por golin e gjeti Smajli në të 16-ën. Tërbuni barazoi me Adi Hasën, por koplikasit kaluan përsëri në avantazh me Smajlin. Në fund të pjesës së parë miqtë barazuan me Fejzon, i cili shfrytëzoi një top të marrë nga e majta.

Pjesa e dytë pati shumë tension, Bega u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë për një ndërhyrje të gabuar dhe Veleçiku mbeti me 10 vetë. Selenica dhe Dushku rrezikuan për pukjanët, ndërsa trajneri Rrustemaj u detyrua të bënte ndërrime pas dëmtimit të disa lojtarëve. Me futjen e Myslimit, loja e Tërbunit u bë më e gjallë dhe ishte pikërisht ky lojtar që shënoi golin e fitores. Një gol i kontestuar shumë nga stafi i Veleçikut.

Pas minutës së 80-të nuk pati më futboll. Toma, sapo hyri në lojë, mori 2 të verdhë dhe Veleçiku mbeti me 9 lojtarë. Edhe pas 6 minutash shtesë, rezultati nuk ndryshoi dhe Tërbuni mori 3 pikët. Pas ndeshjes pati shumë tension mes lojtarëve të 2 ekipeve.

Drejtuesit e Veleçikut kontestuan gjykimin. Për shumë minuta ekipi mik qëndroi brenda ambienteve të “Reshit Rusit”, derisa situata u qetësua. Pas ndeshjes, trajneri i Tërbunit, Edmond Dalipi, tha: “Kaluam një provë të vështirë dhe tani jemi disi më të qetë. Kjo fitore na hap rrugën për mbijetesë. Nuk dua të komentoj asgjë përveç anës teknike”.

BASHKIM RAMEKAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"