Shtohen hijet mbi stolin e Kovaçit. Bajerni i jep besim, por nëse kriza vazhdon…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2018 | 23:28

Shtohen hijet mbi stolin e Kovaçit. Bajerni i jep besim, por nëse kriza vazhdon…

Edhe pse Uli Hënes deklaroi disa ditë më parë se trajneri Niko Kocaç nuk do të lëvizë nga Bajerni, shumë tifozë kanë filluar të mendojnë për zëvendësuesin e kroatit që ka zhgënjyer totalisht në këto 7 javët e para të Bundesligës. Mediat gjermane mendojnë që probabiliteti që Kovaç të largohet nga Mynihu është i madh. Ndeshja e fundit ndaj Gladbahut ishte ndoshta shansi i fundit i trajnerit, që erdhi me bujë të madhe nga Frankfurti, ku fitoi kupën e Gjermanisë përballë bavarezëve. Në fakt, Kovaç bëri një nisje të mirë me skuadrën, duke fituar Superkupën dhe katër ndeshjet e para në Bundesligë e duke krijuar përshtypjen se Bajerni do të ishte kampion absolut në kampionat.

niko kovac

Por gjërat ndryshuan shumë shpejt madje, teksa brenda 10 ditëve skuadra pësoi dy humbje dhe 2 barazime me skuadra relativisht të lehta në letër. Vetëm dy gola të shënuar dhe pesë të pësuar. Trajneri ka probleme me menaxhimin e lojtarëve të rëndësishëm si Roben dhe Riberi. Të dy veteranët janë kthyer në makth për kroatin. Ndërkohë, përsa i përket pozitës së tij në pankinën e Bajernit, ajo duket e lëkundur.

Madje, në Gjermani kanë filluar të përmendin dhe emra konkretë trajnerësh. Zinedin Zidane është njëri prej katër mundësive për të drejtuar skuadrën kampione të Gjermanisë. Francezi që fitoi tre Champions me Realin në sezonet e kaluara, tani është pa punë dhe po kërkon një aventurë të re. Pasi dështoi të niste punë në Mançester, Zizu tani mund të jetë i gatshëm të drejtojë bavarezët. Emrat e tjerë janë Antonio Konte, italiani u largua nga Çelsi në fund të sezonit të kaluar pasi prishi marrëdhëniet me presidentin Abramoviç.

Grinta dhe pasioni i tij në pankinë do të ishin të mirëpritura në skuadrën e Bajernit, që ka humbur shkëlqimin e saj. Arsen Venger dhe Loran Blank janë dy emrat e tjerë që mund të zëvendësojnë Kovaçin në rastin më të keq. Edhe pse mundësitë që Venger dhe Blank të jenë në krye të Bajernit janë të pakta, për momentin janë nga të paktit trajnerë me eksperiencë në qarkullim.

Pas ndërprerjes së kampionatit për shkak të impenjimeve të skuadrave kombëtare, koha për Kovaçin do të jetë shumë e ngushtë. Nëse trajneri dhe skuadra do të bëjnë një tjetër hap fals në kampionat dhe Champions, atëherë ardhja e një trajneri të ri është e pashmangshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"