SHQIPËRIA U-19/ Kuqezinjtë përgatiten për miqësoren ndaj Italisë, Cungu: Rivalët janë një superfuqi, test i vlefshëm para Europianit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2022 | 15:14

SHQIPËRIA U-19/ Kuqezinjtë përgatiten për miqësoren ndaj Italisë, Cungu: Rivalët janë një superfuqi, test i vlefshëm para Europianit

Shqipëria U-19 do të përballet me Italinë në një miqësoreje që do të zhvillohet në datën 10 Gusht. Përpara sfidës ka folur dhe trajneri i kuqezinjve Armando Cungu i cili në një intervistë për Fshf.org ka theksuar vlerat e kundërshtarit dhe rëndësinë e kësaj sfide miqësore.

Armando CUngu

“Kushtet e grumbullimit dhe stërvitjes janë thjeshtë ideale, për qendrën e Koverçanos flet vetë emri dhe historia që ka. Sigurisht është kënaqësi që na janë krijuar kushtet për t’u stërvitur në këtë qendër dhe besoj se është një mundësi shumë e mirë që tashmë për të dytin vit radhazi, duke u kthyer në një traditë, ekipeve Kombëtare U-18 dhe U-19 t’i ofrohen kushtet për të luajtur këto miqësore.

Sa i përket gjendjes së ekipit, shpresojmë që të gjithë lojtarët të jenë në lartësinë e duhur në këtë moment të sezonit, duke qenë se të gjitha skuadrat janë në mesin e fazës përgatitore dhe duhet të shohim gjendjen e tyre fizike. Kemi pasur edhe dy lojtarë me temperaturë dhe uroj që ta kalojnë sa më parë këtë gjendje gripale e të mund të rikuperojnë që të jenë të gatshëm për të luajtur.

Procesi stërvitor ka shkuar mirë deri më tani, përveç pjesës praktike në fushë kemi punuar edhe me pjesën teorike duke analizuar edhe kundërshtarin dhe skemat se si luan apo pikat e forta që ka. Po përpiqemi të bëjmë një punë sa më komplekse për të qenë sa më qartë para miqësores me italianët. Dihet që Italia është një superfuqi botërore në futboll, sapo janë kthyer nga një turne mesdhetar dhe kuptohet që janë në formë të mirë. Gjithsesi, ne do të përpiqemi të bëjmë më të mirë në këtë test me të gjitha mundësitë që kemi

Miqësoret janë gjithmonë të vlefshme për të parë gjendjen e ekipit dhe të lojtarëve në veçanti. Kjo është miqësorja e fundit për eliminatoreve të Europianit dhe është mundësia për të parë gjendjen e lojtarëve dhe këtij grupi, pasi është po ky grup që do të përfaqësojë Shqipërinë U-19 në Europianin e kësaj grup-moshe. Miqësorja është një shans që këto djem të luajnë bashkë pas kaq kohe dhe është shumë e rëndësishme që grupi të kolaudohet siç duhet. Kemi bërë shumë seleksionime dhe seanca stërvitore gjatë këtyre muajve për të bërë përzgjedhjet e duhura dhe për të parë të gjithë elementët e spikatur në aksion me kuqezinjtë. Niveli i Italisë është i njëjtë me ato të rivalëve që ne kemi në grupin e kualifikueseve të Europianit kështu që ky test na vlen për të matur forcat. Nuk besoj të kemi ndryshime në grupin e lojtarëve para Europianit, pasi nuk kemi më as kohën në dispozicion për të bërë eksperimente të tjera. Mund të ketë vetëm ndonjë ndryshim në listë të imponuar nga problemet fizike a shëndetësore.”, u shpreh Cungu.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"