“Shqipëria bën surprizën në Euro 2024”, Duro në prag të duelit me Moldavinë: Takim me historinë, dy lojtarë janë e ardhmja jonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2023 | 23:32

“Shqipëria bën surprizën në Euro 2024”, Duro në prag të duelit me Moldavinë: Takim me historinë, dy lojtarë janë e ardhmja jonë

Një pikë në 2 ndeshjet e mbetura i dhuron Shqipërisë kualifikimin në Euro 2024, për herë të dytë në histori. Përballë janë 2 kundërshtarët më të lehtë të mundshëm, kuqezinjtë sfidojnë Moldavinë dhe Ishujt Faroe brenda pak ditësh. Trajneri i njohur, Shpëtim Duro në një intervistë ekskluzive për Sport News në News 24, në emisionin e drejtuar nga Trevisa Tufa, analizoi në detaje kombëtaren e Silvinjos. Në fjalën e tij, Duro tha se në Europian do bëjmë surprizën, ndërsa si e ardhmja e përfaqësueses, ai vlerësoi Kumbullën dhe Brojën.

shpetim duro

Çfarë ndjesie të la dekarata e Silvinjos e cilësoi si një finale, por në fakt mjafton vetëm një pikë.

Vlerësim maksimal. Është takim me historinë, janë ndeshje që mbahen mend gjatë. Deklarata e tij është jashtëzakonisht korrekte. Edhe sot ishte i qartë.

 

Është kjo sfidë kaq delikate? A ndryshon diçka fakti që na mjafton vetëm një pikë, a mund ta ndryshojë ky detaj mënyrën e lojës?

Patjetër që është ndeshje vendimtare, pasi mbahen mend gjithë jetën. Ashtu siç mbahet mend ndeshja me Armeninë, edhe kjo ndeshje do mbahet mend. Nuk duhet të ndryshojë. Në të gjithë fushatën kualifikuese, si jashtë edhe brenda, kemi patur fizionomi dhe strategji të caktuar. Kjo ka qenë një karakteristikë e skuadrës tonë. Mund të jetë i njëjti formacion.

Pas këtyre rezultateve fantastike, a është tani ky ekip në presion për të fituar me lojë dhe rezultat? Më kujtohet sfida e parë më Moldavinë që edhe pse fituam 2-0 opinioni nuk ishte i kënaqur…

Çdo ndeshje ka historinë e saj. Në Tiranë ndaj Moldavisë nuk e patëm të lehtë, këto ndeshje janë të atilla. Nuk i lejuam për asnjë moment që të na rrezikojë. Janë lojtarë që në çdo moment të japin shpresë për të zgjidhur ndeshje. Kjo është ndeshje tjetër.

Moldavia është një ekip i pamposhtur në shtëpi, është në lojë, kërkon fitoren me çdo kusht, sa do të ndikojnë këtë detaje në takimin e së premtes?

Janë ekip i shpejtë në kundërsulm. Mund të them që mund të kemi një avantazh, pasi ata nuk kanë çfarë të humbin. Kjo situatë do bëjë që ata të lënë hapësira. Kam besim te ekipi, për atë që kanë dhuruar deri më tani!

Është kjo një nga ato ndeshje, ku individë si Asani, Bajrami, Asllani, pra lojtarë që godasin kuadratin nga jashtë zonë, apo mund të luajmë në kundërsulm. Në leximin që t’i i bën këtij takimi, ku do vendoset kjo sfidë? Kush mund ta vendos?

Ne kemi lojtarë që zgjidhin ndeshjen në momente të veçanta. Kemi futbollistë që janë në gjendje të mirë, të cilët godasin mirë në portë. Mesfushorët Bajrami, Asllani, apo Ramadani, mund të jenë kërcënim serioz. Kemi shënuar shumë dhe kemi pësuar pak. Në krahasim me eliminatoret e tjera, jemi shumë më mirë në statistika. Kemi mbrojtje fantastike, ata e tregojnë veten edhe në Itali.

A është ky ekipi i “Euro2024”, a ka ndërtuar tashmë Silvinjo ekipin në kokën e tij. A ka vend për Brojën dhe Kumbullën. Flas për formacionin titullar?

Ka qenë fat i keq me Brojën. Siç është Broja, apo Kumbulla, e kam thënë që i përkasin dekadës së ardhshme. Është meritë e tij, e Silvinjos, kur mungoi Ismajli, u paraqit në mënyrë perfekte Ajeti. Uzuni është më i mirë, kemi shumë alternativa. Silvinjo do jetë me dhimbje koke. Vetëm 2 ndryshime nga Reja, pra të gjithë të tjerët aty kanë qenë. Pra, përmendim Asanin dhe Mitaj. Asllani aty ka qenë. Kjo është meritë e trajnerit, pra përfshirja në skema dhe dhënia e 100% në fushë.

Mbyllet në Kishinau kualifikimi? Me sa pikë i mbyllin këto kualifikuese?

Nuk ka rëndësi. Nesër ka vlerë kualifikimi. Nuk kanë rëndësi pikët. Kemi patur rival me traditë në grup. Kualifikimi është i merituar, pasi kemi patur rival me traditë. Kjo është arritje e madhe.

Kaq e fortë është Kombëtarja jonë?

Duke patur parasysh shortin, me ekipe Polonia me Çekinë që janë shumë të forta. Duke shfrytëzuar gjendjen jo të mirë të tyre, ne me merituam arritëm në vendin e parë.

Cili ishte momenti, ndeshja, apo detaji që të bindi plotësisht, ai moment që the, Po ky ekip do të shkojë në Evropian?

Momenti më i rëndësishëm i këtyre eliminatore ka qenë barazimi me Çekinë. Kjo i dha moral skuadrës për të bërë përformancë të mirë më pas.

Kë do veçoje, cili është detaji më i rëndësishëm te ky ekip, çfarë e bën ndryshe këtë përfaqësuese të ndërtuar nga Silvinjo?

Është një ekip që ka tregues teknikë të mirë. Ky është ekuilibri, ka shënuar shumë dhe ka pësuar pak. Jemi shumë të sigurtë në prapavijë. Jemi të rrezikshëm në situatat 1 vs 1.

Vijon t’i qëndrosh besnik idesë se në Evropian do të bëjmë surprizën, të është përforcuar kjo ide?

Padiskutim. Do vijnë edhe lojtarë të tjerë. Do bëjmë surprizë, duke patur parasysh cilësinë e lojtarëve. Në Gjermani do duket sikur jemi në Shqipëri, për shkak  të përkrahjes së madhe.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"