Kukësi përballet me Teutën, Devolli: Ndeshjet me Erzenin dhe Dinamon, pengu im për mbijetesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2024 | 9:14

Kukësi përballet me Teutën, Devolli: Ndeshjet me Erzenin dhe Dinamon, pengu im për mbijetesën

Festa pas arritjes në finale të kupës, ku eliminuan Tiranën, ia ka lënë vendin përgatitjeve te Kukësi për ndeshjen e radhës në kampionat. Koha për të festuar gjatë nuk premton, sepse të dielën në orën 15:00 blutë do të luajnë në shtëpi kundër Teutës.

devolli 1

“Normalisht që festa ka mbaruar dhe kemi filluar punën për ndeshjen e kampionatit”, u shpreh fillimisht në prononcimin e tij për “Panorama Sport”, arkitekti i dërgimit të Kukësit në finalen e 14 majit, Bledar Devolli. Në vijim të fjalës së tij, kreu i pankinës verilindore ndalet edhe tek motivimi i skuadrës në kampionat, edhe pse kundër Teutës mund të bien matematikisht nga elita. “Patjetër që kemi motiv. E para, ne duhet të respektojmë klubin dhe punën tonë deri në fund të kampionatit”, u shpreh më tej trajneri i Kukësit, i cili në të kaluarën ka pasur një eksperiencë të shkurtër në stafin e verilindorëve, pikërisht kur ekipi drejtohej nga Armando Cungu.

FINALJA – Deri më 14 maj ka ende kohë për të menduar rreth finales me Egnatian dhe në Kukës duan t’i marrin gjërat me radhë. Për më tepër që nga ndeshja me bardheblutë kanë vuajtur jo pak. Sipas Devollit, skuadra ka dalë e sakatuar nga ai takim. “Duhet që sa më shpejt të mbledhim pjesët, sepse kemi dalë të sakatuar nga ndeshja me Tiranën. Kemi kohë mjaftueshëm për ta përgatitur sa më mirë ndeshjen finale”, u shpreh më tej Devolli, i cili mund të thuhet se arriti një sukses historik me Kukësin, i cili dukej “i fikur” pak javë më parë, ndërsa tani pretendon për të mbyllur sezonin me trofeun e Kupës.

PENGJET – Në kampionat Kukësi pret vetëm rënien matematikore, pasi vetëm një kombinim gati i pamundur e shpëton. Për këtë arsye, Devolli ka edhe pengjet e tij, sepse nëse disa ndeshje do të kishin shkuar më mirë, Kukësi do të ishte në të tjera pozita dhe me shumë shanse për të mbijetuar. “Po, kam pengje. Bëhet fjalë për ndeshjen me Erzenin dhe Dinamon në shtëpi. Kemi bërë gol të parët dhe e kemi pasur ndeshjen nën kontroll. Më pas, me Tiranën në kampionat tek ai rasti i 11-metërshit. Me nëntë pikë më shumë, do të ishim duke folur ndryshe sot”, u shpreh Devolli, i cili tentoi me të gjitha mënyrat të ringjallte Kukësin, por situata në të cilën e mori në kampionat ia bëri gati të pamundur mbijetesën dhe të dielën mund t’i thotë zyrtarisht lamtumirë Superiores.

MUNGESAT – Për ndeshjen me Teutën, Kukësi do të ketë dy mungesa të rëndësishme për arsye kartonësh. Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin Vasil Zhongo dhe mesfushorin e avancuar, Françesko Hasaj. Të dy këta futbollistë kanë qenë lojtarë kyç në ekipin verilindor, pasi janë ndër më të preferuarit e Devollit. Gjithsesi, në këto ndeshje të mbetura në kampionat do të ketë minuta edhe për ata që janë aktivizuar më pak.

kuk

V.MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"