Dinamo humb Vilën kundër Teutës, por blutë shpresojnë për katërshen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2024 | 10:00

Dinamo humb Vilën kundër Teutës, por blutë shpresojnë për katërshen

Lorenco Vila do të jetë mungesa e madhe e sfidës së sotme të Dinamos kundër Teutës në Durrës. Janë 90 minuta vendimtare sa i takon objektivit për vendin e 4-t, edhe pse jo gjithçka vendoset nga rezultati i ndeshjes në “Niko Dovana”, duke qenë se të njëjtin objektiv kanë edhe Skënderbeu dhe Tirana.

vila

Blutë vijnë pas një serie rezultatesh negative, me vetëm 1 pikë në 4 ndeshjet e fundit, por sot nuk kanë çfarë të humbin dhe do të kërkojnë 3 pikët me të gjitha forcat. Trajneri Dritan Mehmeti është i detyruar të bëjë lëvizje në formacion, jo vetëm për shkak të mungesës së Vilës, por edhe për t’iu përgjigjur kundërshtarit. Vila ka pësuar një dëmtim në kavilje dhe nuk mund të luajë sot ndaj ish-skuadrës së tij.

Kujtojmë që në ndeshjen e fazës së dytë, të luajtur pikërisht në Durrës, ai realizoi të dy golat në fitoren 2-1 të Dinamos, ndërsa në total ka shënuar 6 gola me fanellën e Dinamos. Përveç sulmuesit durrsak, do të mungojë sot edhe Ardit Tahiri, edhe për ai për shkak të një dëmtimi në kavilje disa javë më parë. Mesfushori Erisildo Smaçi, që mungoi të mërkurën ndaj Egnatias, nuk pritet në formacion as sot përballë Teutës. Vendin e tij mendohet ta marrë Mija, ashtu si të mërkurën që shkoi.

GOLAT E MUNGUAR – Dinamo ka vuajtur për të shkuar te goli në ndeshjet e fundit dhe ky problem ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultate. Blutë nuk e gjejnë rrugën e rrjetës prej gati një muaji, që më 14 prill, kur fitonin 2-0 ndaj Erzenit. Që atëherë, edhe pse skuadra krijon mundësi të mira në zonën kundërshtare, nuk po arrin të zhbllokohet. Kuptohet që ndikon jo pak edhe aspekti psikologjik. Shpresat janë që sot të jetë në fushë një tjetër Dinamo nga ajo e ndeshjeve të fundit, më grintoze dhe mbi të gjitha më efikase.

Kaçorri, Denison dhe Zabërgja janë tre lojtarët që sot do të kenë detyrën e vështirë për të gjetur golat e munguar, pa të cilët nuk mund të shkosh te fitorja. Stafi teknik ka pasur në dispozicion vetëm 2 ditë kohë për ta përgatitur këtë ndeshje të rëndësishme. Më së shumti është punuar në aspektin taktik dhe sot në Durrës do të mësohet, nëse kampionati i Dinamos do të përfundojë aty, apo do të krijohet mundësia për të shkuar në “Final 4”. Blutë do të luajnë shanset e tyre.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"