EKSKLUZIVE/ “Final 4 një eksperiment”, Edmond Kapllani: Derbi jetik për Tiranën, Partizani është favorit (E plotë)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2024 | 10:12

EKSKLUZIVE/ “Final 4 një eksperiment”, Edmond Kapllani: Derbi jetik për Tiranën, Partizani është favorit (E plotë)

Partizani dhe Tirana luajnë të dielën në 19:00 në “Air Albania” derbin e fundit mes tyre në sezonin e rregullt. Luhen javët e fundit të sezonit të rregullt dhe skuadrat kërkojnë të rrugëtojnë drejt titullit kampion. Edmond Kapllani, ish-sulmues i Partizanit dhe Kombëtares (41 ndeshje, 6 gola) në një prononcim për “Panorama Sport” flet për këtë betejë, ku sipas tij “demat” janë më favoritë. Kapllani e cilëson këtë derbi si një sfidë jetike për të dyja skuadrat. Sipas tij, problemet e Tiranës jashtë fushe nuk do të ndikojnë në këtë betejë mes dy rivalëve historikë.

Kapllani

Si ju është dukur ky sezon i Superiores deri më tani, me skemën e re dhe gjithçka tjetër?

Të them të drejtën ky është një eksperiment. Unë shoh që deri më tani kjo më së shumti ka pasur të këqija sesa të mira, por faza e katërt është bërë më interesante. Janë vetëm 10 ekipe, gara është e ngushtë dhe e fortë për “Final 4” dhe rënien. Tre fazat e para kanë qenë me shumë luhatje. Tani kemi hyrë në një fazë të kampionatit, ku 80% e skuadrave kanë objektiva për të arritur. Gjashtë ekipe pretendojnë për “Final 4”. Tirana u eliminua nga Kupa dhe kampionati është i vetmi shans për të kapur Europën.

Të dielën luhet derbi mes Tiranës dhe Partizanit. Sa e rëndësishme është kjo ndeshje për dy ekipet?

Siç e thamë, kemi hyrë në fazën më të rëndësishme të kampionatit. Partizani kërkon që të paktën të arrijë vendin e dytë, që të ketë avantazhin e barazimit në gjysmëfinale. Për Tiranën është jetësore që të paktën të jetë në “Final 4”, të mbajë gjallë shansin për Europën dhe pse jo për titullin. Të dyja ekipet janë në një fazë relativisht pozitive, me Partizanin që u rikthye te fitorja kundër Dinamos dhe Tiranën, që në kampionat ka arritur të fitojë terren kundrejt kundërshtarëve. Shoh që skuadrat, pas një paraqitjeje të dobët, gradualisht po e rrisin formën e tyre sportive. Është një derbi jetësor për të dyja ekipet dhe e pres shumë më interesant se tre derbet që janë luajtur më parë këtë sezon.

Cila prej skuadrave ju duket më favorite në këtë derbi të radhës?

Flasim për dy ekipe me shumë cilësi, por Partizani është më i gjerë në kualitet, ka më shumë opsione. Mendoj se të kuqtë hyjnë në këtë ndeshje si favoritë. Derbi është gjithnjë i hapur, por Partizani ka më shumë kualitet, që mund ta dërgojë te fitorja e kësaj ndeshjeje.

Sa ndikon fakti që Tirana shkon pas eliminimit në Kupë, ndërsa Partizani pas fitores me Dinamon dhe me disa ditë më shumë pushim?

Nuk i shoh si avantazhe, sepse edhe Tirana gjysmëfinalen me Kukësin e fitoi, pavarësisht se nuk mundi ta bënte këtë bindshëm dhe nuk shënoi dy gola a më shumë. Në fund të fundit, çfarëdo të ketë ndodhur më përpara, kur futen në derbi, skuadrat janë 100% të karikuara. Mendoj se është komplet ndeshje e hapur, me Partizanin pak më favorit për shkak të kualitetit jo vetëm në 11-shen e parë, por edhe lojtarët që ka në pankinë.

Ju ndoqët për disa ditë stërvitjen e Partizanit në funksion të kursit UEFA Pro. Si ju duk ky klub nga afër sa ishte zhvilluar?

Ka shumë zhvillim, duke parë edhe projektin për të ndërruar fushën e stadiumit dhe për ta bërë me bar natyral, si dhe për të ndërtuar dy fusha të tjera stërvitore. Në Shqipëri ka evoluar futbolli edhe në aspektin e planeve dhe projekteve. Partizanin e shoh si Skënderbeu i artë i disa viteve më parë. Është në drejtim pozitiv.

Nga ana tjetër, Tirana është në udhëkryq për shkak të bllokimit të aksioneve të Halilit. Mendoni se ndikon kjo në sfidën e së dielës?

Mund të ndikojë në vazhdimësi, pra muajt apo sezonin në vijim, por në këtë moment nuk mendoj. Derbi Tirana-Partizani është një ndeshje që ndiqet nga e gjithë Shqipëria dhe ngjall motivim të një niveli të lartë te lojtarët. Kështu që nuk mendoj se ndikon. Ndoshta do të ndikojë me kalimin e kohës, pasi në vijim lojtarët do të kenë dyshime për të ardhmen e tyre dhe sigurinë financiare.

Mendoni se ky derbi nuk do të jetë i fundit? Pra dy ekipet do të diskutojnë titullin edhe në “Final 4”?

Duke parë që ndeshjet e “Final 4” do të zhvillohen në “Air Albania”, do të ishte shumë interesante edhe për gjithë ambientin sportiv në Shqipëri që Tirana të hynte në finalet e mëdha. Ka mbrapa një publik të gjerë dhe në ndeshjet e saj krijohet atmosferë shumë entuziaste në stadium. Por nuk do të ishte çudi që të mos kishte derbi, sepse varet edhe nga shorti dhe ajo çka ndodh. Me dy ndeshje mund të dalësh kampion, edhe nëse nuk ke pasur një vit produktiv.

Keni luajtur për tri vite me Partizanin kur ishit adoleshent. Çfarë mbani mend nga ajo periudhë mes viteve 2000-2003?

Kam qenë djalë i ri në atë kohë, fatkeqësisht nuk e kam shijuar një gol në derbi. Nuk kam qenë lojtar formacioni, pavarësisht se në atë periudhë mora mësime të rëndësishme dhe eksperiencë të vlefshme. Nga derbet mbaj mend një barazim pa gola në “Qemal Stafa”. Ka qenë atmosferë e jashtëzakonshme në tribuna. Tirana në atë kohë kishte lojtarë si Fortuzi në fushë. Partizani kishte në fushë emra si Prenga, Tole apo Shulku. Unë isha 18 vjeç.

Keni spikatur ndonjë lojtar nga Superiorja që mund të luajë në Kombëtare?

Isha tri ditë te Partizani dhe ndoqa atë që lojtarët bënin në stërvitje. Më bëri përshtypje Rrapaj, që është një lojtar me shumë kualitet. Por vetëm shkëlqimi në Superiore nuk mjafton dhe atij i duhet të bëjë hapin tjetër të madh. Duhet të përmirësohet, të rrisë efektivitetin në lojë. Është ende i ri dhe e shoh që në të ardhmen me kualitetin e tij mund të jetë pjesë e ekipit Kombëtar.

Egnatia po dominon sezonin. Si i prisni ata në finalet e mëdha?

Në “Final 4” janë dy ndeshje. Edhe Egnatia ka pasur luhatje përgjatë sezonit. Në dy fazat e para ka qenë shumë dominuese dhe në fazën e tretë ka nisur të çalojë. Është ekip shumë i mirë dhe i fortë, e meriton kreun, por në 90 minuta mund të ndodhin shumë gjëra. Ka kartonë të kuq, penallti, është gjithçka e hapur. Duhet thënë se në dy vitet e fundit tek Egnatia është bërë punë shumë e mirë. Më pëlqen fakti që largimet e lojtarëve kryesorë i kanë zëvendësuar me futbollistë me të njëjtën cilësi. Egnatia ka pasur luhatje, por në tërësi është ekipi më konstant, ndaj është në krye. E shoh që ka një avantazh, por jo për të thënë me siguri se del kampion.

Tashmë që po diplomoheni si trajner profesionist, e mendoni veten në krye të një ekipi shqiptar?

Nëse do të ma bënit këtë pyetje para disa viteve do të thosha jo. Unë po e bëj UEFA Pro, sepse e bëj këtë punë me pasion. Kam qejf të jem çdo ditë në punë, në fushë. Futbolli në Shqipëri ka ndryshuar shumë për mirë, por ende strukturat e klubeve nuk janë ende në nivel europian. Që të punosh në Shqipëri, duhet që klubi të ketë një plan dhe projekt afatgjatë për të shkuar tek objektivat. Në Shqipëri punon një muaj dhe pastaj nuk je më në punë. Nuk të jepet kohë që të shprehësh idetë dhe planin tënd. Kjo më step pak. Por unë kam nevojë për një trampolinë, për një skuadër ku të afirmohem, pasi nuk e kam eksperiencën si trajner. Do të doja të jetë diçka afatgjatë.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"