Shpërthen Mone: Apolonia më ofendoi, ja pse ika

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2018 | 20:42

Shpërthen Mone: Apolonia më ofendoi, ja pse ika

Reagon mbrojtësi fierak, Arbër Mone. Pas deklarimeve të trajnerit Miho në numrin e djeshëm të gazetës “Panorama Sport” në lidhje me çështjen Mone, mbrojtësi fierak e ka parë të arsyeshme të japë opsionin e tij në lidhje me zhurmën “artificiale” siç e quan Mone, në lidhje me këtë fakt. Është vetë lojtari që komunikon me gazetën përmes rrjeteve sociale, teksa ndodhet në Ohër, në fazën përgatitore të skuadrës së tij të re, Ferizaj, të kampionatit kosovar, me të cilën ka nënshkruar kontratë për 1 vit.

arber mone

REAGIMI
“Duhet dhe dua të jem korrekt me opinionin publik, mbi të gjitha për sportdashësit fierakë që më njohin mirë dhe lexuesit e shumtë të gazetës suaj. Askush nuk më ka përjashtuar, por ka qenë vendimi im për t’u larguar. Isha optimist se në Fier po ndërtohej një ekip me mentalitet të ri dhe plot ambicie e ndaj vendosa të vetofrohesha në skuadrën e qytetit tim, edhe pas disa ofertave që më kishin ardhur nga klubi, para se unë të vendosja. Ishte më shumë një vendim imi personal, me aq dëshirë që të vendosja edhe unë një gur në themelet e kësaj Apolonie që pretendohej, të kësaj skuadre që synon rikthimin në kohët e saj më të mira.

Por, gjërat nuk shkuan ashtu siç duhet. Në respekt të tifozëve tanë të mrekullueshëm dhe për të gjithë opinionin sportiv, më duhet të theksoj fort se largimi im (jo përjashtim, kurrë!), ka ardhur pasi nuk arritëm akordin financiar. Nuk jam egoist, me shumë sinqeritet ju them se pata dëshirën e motivimin maksimal për një Apoloni serioze, por nuk mund të trajtohet një lojtar me kaq përvojë sa unë (nuk është vetëmburrje, dua mirëkuptim), të trajtohet me pagë si një lojtar fillestar”, deklaron Arbër Mone.

38655875_2213434395551159_2794524048850157568_n

DISKUTIMET “Shikoni, ndonjëherë dëshira e një lojtari për të luajtur me skuadrën e zemrës, kthehet në objekt abuzimi dhe mendohet se ky futbollist ka mbetur pa skuadër e s’ka ku shkon! Por, le të vazhdojmë në logjikën konkrete të bisedës sonë. Unë jam Arbër Mone dhe e them me përgjegjësi të plotë se qëndrimin tim, mosdakordësinë me kontratën e ofruar ia kam bërë me dije administratorit Bregu dhe nuk jam larguar ‘pa nam e nishan’. Unë jam profesionist e nuk ma lejon as karakteri im individual e as disiplina sportive që të largohem si tinëzar, por ndoshta trajneri për faktet që thashë më lart nuk ka informacionin e duhur, besoj.

Gjithsesi, nuk më vjen mirë të bëhet kaq zhurmë e kotë, t’i hidhet benzinë zjarrit po aq kot më kot. Kujt i shërben kjo gjë? Nuk ramë dakord dhe kaq; t’i themi gjërat siç janë dhe kaq; u largova vetë e nuk më përjashtoi askush dhe kaq! Apolonia mbetet aty, një skuadër e madhe që nuk bazohet në një lojtar e as në një trajner. Unë do të dëshiroja të isha aty, tek Apolonia ime, se nuk u ktheva në mënyrë false, por kështu rrodhën ujërat. Skuadra bëhet me filozofi të qartë, ide novative, grup solid, por… sigurisht jo me lojtarë falas. Suksese Apolonisë!”, deklaron ekskluzivisht nga Ohri për “Panorama Sport”, futbollisti Arbër Mone.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"