Shkumbini i frikshëm në miqësore, dominon ndaj Elbasanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2020 | 17:29

Shkumbini i frikshëm në miqësore, dominon ndaj Elbasanit

Shkumbini ka mundur pastër, 3-0, Elbasanin në një ndeshje miqësore të luajtur ditën e shtunë. Edhe pse përballë peqinasve ishte skuadra e dytë e Elbasanit, duhet thënë se organizimi i Shkumbinit për sezonin e ri, ku do të marrë pjesë në Kategorinë e Dytë, është shumë i mirë.

Shkumbini Elbasani

Lojtarë me shumë përvojë dhe përgatitje serioze nga ana e peqinasve për kampionatin e ardhshëm. Në radhët e kësaj skuadre, që tashmë drejtohet nga ishkapiteni i saj, Lorenc Pashja, bëjnë pjesë lojtarë me emër si sulmuesi Eri Lamçja, mbrojtësi Daniel Ramazani dhe mesfushori Eneo Sulkja apo edhe të tjerë. Elbasani në këtë ndeshje testoi lojtarët e stolit dhe ata që janë në provë, në mënyrë që të marrë vendimet e duhura për përzgjedhjen e tyre.

NDESHJA – Shkumbini ishte ekipi që e diktoi lojën dhe arriti të shënonte në pjesën e parë dy gola me Lamçen dhe Ramazanin. Pak për të thënë për skuadrën mike në këto 45 minuta, por edhe në vazhdim, ku ajo nuk mundi të shënonte as golin e nderit. Në pjesën e dytë u bënë shumë zëvendësime dhe peqinasit realizuan edhe një gol tjetër me autor Gjokën. Drejtuesit e Shkumbinit mbetën shumë të kënaqur nga paraqitja e skuadrës, që është stërvitur në Pogradec për dy javë.

Peqinasit pritet ta nisin kampionatin e ri si favoritë absolutë për kthimin në Kategorinë e Parë. Në anën tjetër, trajneri i Elbasanit, Shkëlqim Lleshanaku, me siguri do ta reduktojë grupin e lojtarëve në provë, pasi shumë prej tyre nuk e kanë bindur. Titullarët e skuadrës elbasanase nuk luajtën në këtë ndeshje.

Fatmir Ahmeti – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"