Shqipëria U-19 triumfon ndaj Belgjikës, lojtarët e Strakoshës japin spektakël

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2012 | 14:05

Shqipëria U-19 triumfon ndaj Belgjikës, lojtarët e Strakoshës japin spektakël

SHQIPËRI-BELGJIKË 3-1
GOLAT: Gavazaj 26′, Kabashi 76′ (p), Shehaj 80′ / Kabasele 79′
SHQIPËRIA: Strakosha, Muskaj, Syku, Bilali, Lundraxhiu, Gavazaj, Gino, Kabashi (Memini 90′), Ahmedi (Magani 84′), Vuthaj (Hoxhaj 81′), Shehaj. Trajner: F.Strakosha
BELGJIKA: Goblet, Malanda, Engles, Atheba, Vestraete, Krouç (Foket 46′), Origi, Shofs (Strom 74′), Sise (De Kegel 85′), Praet, Kabasele. Trajner: M. Van Gersom
KARTONA TË VERDHË: Kabashi 53′, Muskaj 63′, Shehaj 68′, Lundraxhiu 89′ / Atheba 32′, Engles 68′
GJYQTARET: S.Szabo, I.Albert (Hungari), Sh.Eyal (Izrael)

MINUTAT
26′ Gavazaj zotëron një top rreth 30 metra larg portës dhe, duke parë daljen e portierit Goblet, lëshon një silurë, e cila ndalet në rrjetë dhe 1-0.
76′ Ahmedi, pasi kalon disa mbrojtës belgë në zonën e tyre, rrëzohet në mënyrë të parregullt. Kryesori i takimit akordon 11-metërsh. Kabashi nuk gabon nga pika e bardhë, 2-0.
79′ Origi del në një kundërsulm të shpejtë në krahun e djathtë të sulmit belg dhe pason saktë për Kabaselen brenda zone, i cili nuk gabon dhe shkurton diferencën, 2-1.
80′ Shehaj shfrytëzon në mënyrën më të mirë një pasim nga krahu i djathtë dhe gjuan fort në drejtim të portës kundërshtare. Topi përplaset te një nga mbrojtësit belg dhe më pas shkon në rrjetë dhe 3-1.

Kuqezinjtë e vegjël dje kanë dhuruar spektakël në stadiumin e Vlorës, duke e mposhtur Belgjikën me rezultatin e thellë 3-1. Të besuarit e trajnerit Foto Strakosha kanë reaguar pas humbjes së parë ndaj Italisë, jo vetëm duke fituar, por duke zhvilluar edhe një lojë shumë të bukur. Gavazaj, Kabashi e Shehaj ishin autorët e golave, ndërsa për belgët ka shënuar vetëm Kabasele. Me këtë fitore, 19-vjeçarët tanë mbajnë vendin e dytë në tabelën e klasifikimit me vetëm një pikë më pak se Italia, ndërsa duhet të marrin një tjetër fitore në takimin e radhës ndaj Bjellorusisë, në mënyrë që të sigurojë këtë pozicion në klasifikim, që do të thotë edhe një tjetër ndeshje finale për kualifikimin e përgjithshëm, duke supozuar gjithmonë se Italia do të fitojë ndaj Belgjikës.
Pjesa e parë – Loja nis e shpejtë nga të dyja skuadrat, por të parët që do të rrezikojnë janë belgët me anë të Krouçës, i cili pasi e kontrollon bukur topin, gjuan nga një pozicion i prirët me portën, duke vënë në vështirësi Strakoshën, që arrin të grushtojë dhe largojë rrezikun. Pas këtij momenti është radha e lojtarëve kuqezi që të reagojnë. Gavazaj në krahun e djathtë të sulmit arrin t’i shmangë bukur dy kundërshtarë dhe hedh një top të bukur në zonë. Sfera kalon gjithë pasqyrën e portës dhe nuk arrihet nga askush. Minutat kalojnë dhe rastet për të dy ekipet do të jenë sporadike, ndërkohë që në minutën e 26-të Gavazaj do të bëjë mrekullinë. Lojtari kontrollon një top në një largësi rreth 30 metra nga porta por, duke parë edhe daljen e portierit belg, lëshon një silurë dhe e ndal topin në rrjetë. 1-0 për Kombëtaren shqiptare dhe në stadiumin e Vlorës ka festë.
Pjesa e dytë – Fraksioni i dytë i lojës do të jetë një fotokopje e të parit, ndërkohë që trajneri i Belgjikës, duke parë edhe disavantazhin e ekipit të tij bën lëvizjen e parë në fushë. Kështu, Krouç ia lë vendin Foketit, por sulmi belg vazhdon të jetë në një ditë jo të mirë. Nga ana tjetër, Strakosha nuk lëviz asgjë në ekipin e tij dhe Ahmedi, Gavazaj dhe Kabashi vazhdojnë të dhurojnë spektakël në fushë, duke kërkuar golin e dytë që do të jepte më shumë siguri. Ky gol do të vonojë, pasi do të vijë në minutën e 76-të. Ahmedi pasi ka mbajtur topin në zonën kundërshtare, edhe pse i rrethuar nga tre mbrojtës belg, rrëzohet nga këta të fundit. Kryesori nuk heziton të japë 11- metërsh. Kabashi nga pika e bardhë nuk gabon dhe i dyfishon shifrat. Tashmë fitorja duket e sigurt, por në tolerimin e parë që mbrojtja kuqezi bën, Kabasele ndëshkon pas një pasimi të marrë nga krahët duke e shkurtuar diferencën. Nuk mund të pajtohen lojtarët shqiptare në asnjë mënyrë me këtë rezultat, dhe në të 80 minutë Shehaj do të trefishojë, pasi goditja e tij në kufijtë e zonës devijohet nga një mbrojtës përpara se të përfundojë në rrjetë. Pjesa e mbetur e ndeshjes është luajtur për statistikë, edhe pse rastet për shënim nga ekipi ynë ishin të shumta.

Strakosha: Besuam te fitorja dhe e arritëm
I janë dashur disa minuta trajnerit Foto Strakosha për t’u qetësuar pas ndeshjes, në mënyrë që të jepte deklaratën për shtyp. Ndoshta nuk e kishte menduar një triumf të tillë të të tijve, të cilët nuk harron t’i falënderojë për gjithçka dhanë. “Sot (dje) duhet të gëzojmë për këtë fitore, pasi djemtë treguan se kanë besim tek unë, pasi përpara ndeshjes u thashë se do të fitonim. Kjo fitore mua më ka kënaqur shumë për mënyrën se si ka ardhur, por edhe për faktin se futbollistët besuan tek aftësitë e tyre dhe mundën të dilnin në lojën e tyre. Ky entuziazëm sigurisht që na bën shumë mirë, pasi për dy ditë do të kemi ndeshjen e radhës kundër Bjellorusisë, të cilën shpresoj që ta fitojmë gjithashtu”, – është shprehur Strakosha.

GAVAZAJ
“Jam shumë i gëzuar për fitoren, ndërsa tani duhet të realizojmë kualifikimin, që është edhe objektivi ynë. Personalisht e kisha pritur shumë këtë gol, të cilin dua që t’ua dedikoj shokëve të skuadrës dhe familjes sime. Në të ardhmen, nëse do të më pyesnin se për cilën Kombëtare do të luaja, do të preferoja të Shqipërisë”.

KABASHI
“Ishte një fitore, e cila na duhej patjetër, për të shpresuar në një kualifikim të mundshëm. Ne bëjmë një lojë shumë të mirë dhe kolektive, çka na dha triumfin. Më vjen shumë keq që humbëm ndaj Italisë, por tashmë ajo ndeshje ka përfunduar. Fitoren dua t’ia dedikoj familjes sime, por edhe tifozëve të Vlorës dhe atyre të gjithë Shqipërisë”.

SHEHAJ
“Këtë fitore ua dedikoj të gjithë tifozëve që na kanë mbështetur në këto dy ndeshje dhe natyrisht trajnerit, i cili besoi tek unë deri në fund. Arrita të shënoja gol dhe kam shumë emocione, pasi ky do të jetë një nga golat të cilin nuk kam për ta harruar asnjëherë në jetën time. Tani duhet të marrim një tjetër fitore, përkualifikimin”.

Bjellorusi – Itali 1-1
Ndeshja tjetër e Grupit 7, ku bën pjesë edhe Kombëtarja jonë U-19, mes Bjellorusisë dhe Shqipërisë, ka përfunduar në barazim 1-1. Të parët që kanë shënuar ishin bjellorusët në minutën e 48-të, duke lënë të kuptohet se fitorja do të ishte në anën e tyre. Por italianët kanë reaguar, duke fituar një 11-metërsh në minutën e 88-të, i cili është shndërruar në gol nga Riçi.
ALTIN PAVLLO

Renditja, Grupi 7

Nr

Ekipi

Nd

F

B

H

Gola

P

1

Itali

2

1

1

0

4-1

4

2

Shqipëri

2

1

0

1

3-4

3

3

Belgjikë

2

1

0

1

2-3

3

4

Bjellorusi

2

0

1

1

1-2

1

 

 

 

 

 

 

 

Supergoli i Gavazajt

Golat e tjerë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"