Sheta: Në fushë vendos cilësia, sot ekipet historike kanë rënë edhe në të Dytën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2019 | 16:04

Sheta: Në fushë vendos cilësia, sot ekipet historike kanë rënë edhe në të Dytën

Në stadiumin “Besëlidhja” të sh tunën vjen Dinamo dhe skuadra lezhjane, pasi humbi një pozicion në renditje pas humbjes në Burrel, synon rikthimin me çdo kusht te fitorja. Diferenca me kreun është 4 pikë, çka e vështirëson punën për Besëlidhjen dhe një tjetër hap i gabuar do të ishte fatal për këtë skuadër. Duke parë synimet e lezhjanëve, zhvillimin e ndeshjes para tifozëve të tyre dhe luftën për mbijetesë të Dinamos, ndeshja parashikohet mjaft e fortë.

beselidhja

SHETA – Në radhët e Besëlidhjes këtë sezon luan mbrojtësi kryeqytetas, veterani Arian Sheta, i cili këtë fanellë e ka shkëmbyer me atë të Dinamos. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai flet për këtë sfidë të veçantë për të. “Kam 20 vjet që luaj futboll profesionist me skuadra të Superiores dhe tani në fund të karrierës në Kategorinë e Parë. Konkurrenca është ajo që cakton kategoritë e jo emri apo historiku i tyre, pasi sot në Kategorinë e Parë, madje ndonjëra fatkeqësisht edhe në të Dytën, militojnë shumë skuadra historike. Edhe Tirana dhe Vllaznia kohët e fundit e kanë ‘shijuar’ këtë nivel. Të shtunën në Lezhë ndeshen dy skuadra historike të elitës, siç janë Besëlidhja dhe Dinamo, kjo e fundit me shumë trofe, por tashmë në nivel inferior. Por kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë cilësi. Eksperienca ime e gjatë ka bërë ta njoh shumë mirë kampionatin shqiptar në të dyja nivelet. Për mua, disniveli është shumë i vogël mes Superiores dhe Kategorisë së Parë. Po ashtu, mes skuadrave të të njëjtit nivel diferenca është shumë më e vogël”.

sheta beselidhja

“Duke iu referuar kësaj që them, ndonëse Dinamo renditet e fundit dhe me vetëm 1 pikë, është skuadër që di të luajë futboll ndaj po e vlerësojmë maksimalisht. Përballja jonë me Dinamon në një kohë të tillë e rrit shkallën e vështirësisë për të dyja skuadrat, por rrit cilësinë e lojës për spektatorin që besoj se do të na ndjekë në masë për vetë specifikat e kësaj ndeshjeje. Do të luftojmë për fitore për t’u ngjitur sa më afër kreut, ndërsa Dinamo për të shpëtuar “lëkurën” do të japë maksimumin në fushë. Besëlidhja është pretendente për ngjitjen në Superiore dhe një ndër skuadrat më të mira të grupit, pavarësisht renditjes momentale. Pikët e lëna në Burrel për faj të gjykimit dhe ato të lëna në shtëpi ndaj Egnatias për fajin tonë na kanë kushtuar në renditje. Shpresoj që ndaj Dinamos të japim më të mirën për të marrë fitoren dhe për të qenë në “vallen” e pretendentëve”, u shpreh mbrojtësi kryeqytetas i Besëlidhjes, Arian Sheta. Mbrojtësi 38-vjeçar ka luajtur më parë edhe për skuadra si Tirana, Partizani, Teuta, Laçi, Kastrioti, Elbasani, Besa dhe Korabi.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"