Sheshoi grindjet dhe zëvendësoi edhe shoferin e autobusit, ja si Kuman e rilindi Holandën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2019 | 21:26

Sheshoi grindjet dhe zëvendësoi edhe shoferin e autobusit, ja si Kuman e rilindi Holandën

Vërtet Holanda nuk u kualifikua për në “Euro 2020” në një mënyrë shumë të bukur, duke qenë se barazimi 0-0 me Irlandën e Veriut ishte vërtet i rrezikshëm, por e rëndësishme ishte të përmbushej misioni dhe sigurisht që e gjithë Europa, madje edhe 23 skuadrat që do t’u bashkohen portokallinjve në turneun e qershorit të ardhshëm, do të jenë të lumtura që do të kenë mundësinë të përballen me një kombëtare kaq të madhe. 

ronald kuman

Sigurisht që 7 vitet e fundit kanë qenë një tranzicion tepër i vështirë për këtë komb, i cili historikisht ka prodhuar jo vetëm legjenda të pavdekshme si Johan Krujf, por është etiketuar si një ndër industritë më të rëndësishme të talenteve të sportit më të bukur në botë. Pengjet e së kaluarës ishin të mëdha, si finalja e humbur e Botërorit 2010, apo edhe arritja e treta në Kupën e Botës në Brazil, 4 vite më vonë.

Por pas këtyre, papritur një terr i plotë mbuloi këtë përfaqësuese, nisur ndoshta edhe nga një ndryshim radikal, si lamtumira e një brezi të artë, të mbushur me kampionë madhështorë si Shnajder, Roben, Van der Vart, Van Persi, Huntelar e shumë të tjerë. Por nëse zgjedhjet e bëra nga trajnerët që morën drejtimin, por u larguan më shpejt sesa erdhën, si Hidink (për të disatën herë), apo Blind e akoma më shumë Advokat, në vend që ta bashkonin sa më shumë skuadrën, nisën ta përçajnë grupin e futbollistëve.

kuman

U përfol se disa veteranë kishin krijuar klane, sherret në dhomat e zhveshjes në mungesë të rezultateve nisën të bëhen sa më të shumta dhe mbi të gjitha grupi i lojtarëve nuk i lëvizte rremat në të njëjtin drejtim. Por fatmirësisht, 6 shkurtin e vitit 2018 federata vendosi të thërrasë një specialist, “doktorin” e duhur për të shëruar një emër të madh si Holanda, një figurë që ka shkruar kapituj të rëndësishëm historikë me “Tulipanët”. I përzgjedhuri ishte Ronald Kuman, një ish-mbrojtës, një ish-kapiten, por mbi të gjitha një specialist i punës me të rinjtë, i cili menjëherë pa frikë dhe pa dëgjuar askënd nisi një revolucion total: shkarkoi të gjithë stafin e punëtorëve të qendrës stërvitore të Holandës, duke shkuar madje deri te shoferi i autobusit, pasi mendohej se disa prej këtyre punonjësve bënin spiunin në media.

kuman holanda

Ndërkohë, vendosi që t’i hapë dyert talenteve të reja, si De Ligt, De Jong, Depai e Berguijn, por krijoi edhe një serbator edhe më të madh me adoleshentë fluturues si Van de Bek, Malen, Stengs, Boadu, Ihataren, Klajvert etj. Por mbi të gjitha, në çdo repart mendoi që të vendosë nga një shtyllë të fortë, si Van Dajk në mbrojtje, Vajnaldum në mesfushë dhe shpluhurosi një sulmues si Babel, që aq shumë ishte kritikuar. Dhe në fund, të gjitha lëvizjet e Ronald Kumanit rezultuan fituese, ato që nevojiteshin për të parë më në fund Holandën në nivelet e arta dhe në vendin që i takon, protagoniste në një Europian, por me perspektivën për të qenë bindëse edhe në eliminatoret për Botërorin “Katar 2022”.

Përgatiti: JETON STAMOLLA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"