Sherri: Kombëtarja është krenari, Egnatia luan për… dopietën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2024 | 10:21

Sherri: Kombëtarja është krenari, Egnatia luan për… dopietën

Egnatia luan një sfidë delikate me Kukësin, ku në lojë janë kreu dhe mbijetesa. Rrogozhinasit do të synojnë të rikthehen te rezultatet pozitive për të lënë pas ecurinë e shtatë ndeshjeve pa fitore. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, portieri i kryesuesve dhe së fundmi edhe i Kombëtares, Alen Sherri, shprehet se do të dalin me tri pikë kundër verilindorëve. Portieri shkodran flet edhe për thirrjen në Kombëtare në miqësoret e marsit.

sherri

Sherri, çfarë ndjesie është të veshësh fanellën kuqezi?

Jam krenar dhe i lumtur që për herë të dytë pata fatin të isha pjesë e përfaqësueses kuqezi. Për çdo futbollist, kombëtarja është maksimumi, ndaj e shijova këtë moment. E kam ëndërruar që fëmijë të përfaqësoja kombin tim dhe kur ëndrrat bëhet realitet, ndihesh i plotësuar me veten. Nuk do t’i harroj kurrë këto emocione.

Sa vlerë ka fakti që ishit i vetmi nga Superiorja në Kombëtare?

Jam i kënaqur që vlerësohem nga trajneri dhe stafi i Kombëtares. Kjo dëshmon se edhe lojtarët e Superiores janë në prioritet. Mendoj që Superiorja ka disa elementë, të cilët mund të jenë pjesë e Kombëtares. Ishte një atmosferë fantastike. Lojtarët kanë një marrëdhënie të shkëlqyer me njëri-tjetrin dhe kjo na ndihmon të “stampojmë” në memorie çdo moment që qëndrojmë së bashku. Ekipi kombëtar po përjeton një moment historik dhe të gjithë ndihemi krenar me veten që kemi shansin që përfaqësojmë kombin tonë. Te grumbullimi i kombëtares nuk mungojnë batutat, lojërat dhe të qeshurat pafund. E kam shijuar në maksimum këtë eksperiencë, por nuk dua të ndalem me kaq.

Prisnit që të debutonit duke parë parasysh që ishin miqësore?

Sigurisht që çdo lojtar që thirret në Kombëtare, synon të luajë dhe natyrisht shpresoja të kisha disa minuta. Megjithatë, kjo është një punë që e vendos stafi dhe nuk demoralizohem aspak. Detyra ime është të jem gati gjithmonë, çdo gjë kërkon kohën e vet dhe unë e kam durimin për të pritur momentin tim edhe me ekipin kombëtar.

A besoni se do të jeni me kuqezinjtë në Europian?

Unë besoj tek aftësitë e mia dhe do të bëj gjithçka për ta merituar një thirrje. E di që konkurrenca është e lartë por shanset që kam do të mundohem t’i shfrytëzoj në maksimum. Në fund do të respektoj çdo vendim që do të marrë trajneri për mua.

Këtë javë Egnatia pret në shtëpi Kukësin. Çfarë synoni nga ky duel?

Do të jetë një sfidë e luftuar, edhe pse përballë do të vendosen dy ekipe me objektiva të kundërt. Ne respektojmë kundërshtarin, i cili ka performuar mirë në javët e fundit, por do të futemi në fushë vetëm për 3 pikët. Pushimi dyjavor na ka ndihmuar që të rikuperojmë ato detaje, që na kanë shqetësuar në javët e fundit. Me Kukësin jam i bindur që do të rikthehemi te rezultatet pozitive.

Sa shanse ka që ekipi rrogozhinas të shpallet kampion?

Mendoj që ky është sezoni i duhur për të tentuar titullin kampion. Kemi dominuar nga fillimi deri tani dhe tashmë na duhet të dëshmojmë se jemi këtu me meritë. Shanset i kemi vetë në dorë, pasi Egnatia ka treguar superioritet me çdo kundërshtar këtë sezon.

Nëse do të fitonit sërish Kupën, do ta quanit pozitiv sezonin?

Fitimi i Kupës së Shqipërisë do të na gëzonte pa masë pasi do i mundësonim klubit një tjetër trofe të rëndësishëm në historinë e tij. Sezoni natyrisht që do të konsiderohej i suksesshëm, por ne objektiv këtë sezon kemi edhe titullin kampion. Do të bëjmë gjithçka që të arrijmë të dy trofetë edhe pse jemi koshientë që do të jetë e vështirë. Aktualisht jemi në lojë për të shpresuar tek arritja e objektivave. Është koha që të kthejmë edhe investimin e madh që presidenca po bën në këtë klub.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"