EKSKLUZIVE/ “Ka vetëm një rrugë për Tiranën”, Gentjan Muça: Derbi të çon në “Final 4” (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2024 | 21:32

EKSKLUZIVE/ “Ka vetëm një rrugë për Tiranën”, Gentjan Muça: Derbi të çon në “Final 4” (E PLOTË)

Gentjan Muça është i bindur se Tirana vetëm një rrugë për “Final 4”. Të fitojë derbin me Partizanin. Në një intervistë të gjatë për “Panorama Sport”, ish-kapiteni, dhe lojtari që ka luajtur disa sezone me Tiranën, foli për sfidën me të kuqtë.

muca

 

Ai analizoi çdo detaj të skuadrës. Të mirat dhe probleme te bardhebluve, ndërsa pranoi se ky derb është “jetë a vdekje” për këtë sezon. Genti u kthye pas në kohë, teksa zgjodhi një nga derbet më emocionues në karrierën e tij sportive.

Tirana luan një derb që jo vetëm duhet fituar, por duhet të rrëmbejë edhe vendin e katërt. Jeni i këtij mendimi?

Derbi të çon në “Final 4”. Nuk e di se çfarë do të bëhet dhe si do të shkojë nëse ikën derbi. Për Tiranën unë shoh vetëm një rrugë për të shkuar “Final 4”. Të fitojë në derbi. Moralisht është e rëndë për ta thënë. Duket e vështirë për ta kapur atë vend, por nëse nuk fiton psikologjikisht bëhet e vështirë për të qenë në “Final 4”.

Tirana para gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë sikur e mori veten. Çfarë ndodhi sipas jush?

Me ju jam, por ja ku jemi. Kupa është një tjetër goditje për ekipin. Te Tirana pretendonin që ta mbyllin me një trofe dhe Kupa ishte një mënyrë për të ngritur trofeun. Fundja-fundit, nëse nuk fiton titullin duhet të marrësh pjesë në Europë…

Si i sheh dy skuadrat, Tiranën dhe Partizanin në këtë moment të kampionatit?

Nga vjet dhe duke bërë një krahasim mes tyre, skuadrat e vjetshme nuk janë fare të njëjta skuadrat e sivjetshme. Kanë ulje drastike nga vjet. Nëse vjet pretendonin për titullin kampion dhe ishin ngjitur me njëra-tjetrën. Në renditje ishin shumë lart. Edhe nga tifozët kishte një farë interesi të shtuar. Këtë vit, nga tifozët e shoh të vakët interesin. Ndoshta ky interes i vakët ka të bëjë me performancën e skuadrave, luhatjet pa fund të dy ekipeve si dhe rezultateve jo të pritshme.

Ndoshta keni të drejtë, por tifozi mbetet tifoz dhe duhet të jetë në stadium edhe në ditë të këqija?

Padiskutim që po. Për Tiranën, tifozëria në këtë ndeshje është “jetë a vdekje”. Kjo sfidë është për të shpëtuar sezonin. Te Partizani janë më të qetë. Janë brenda zonës së “Final 4”. Presioni te ta do të fillojë në “Final 4”, kur të luajnë me dy skuadrat e para. Skema gjithashtu, nuk favorizon vendin e tretë dhe të katërt, pasi kanë dy rezultate kundër. Këtë ndeshje duhet ta themi janë më komodë. Nëse Tirana nuk do të menaxhojë emocionin dhe presionin e vendit të katërt, Partizani ka mundësi për të përfituar. Nga ana tjetër Tirana duhet të jetë shumë agresive që në nisje të lojës. Nëse nuk e bën këtë gjë, do të ketë probleme dhe do t’i ikë ndeshja, siç ka ndodhur edhe në sfida të tjera.

Sipas jush, a e vuan Tirana çështjen që ka një periudhë të gjatë që nuk fiton në derbi?

Mendoj që jo. Në këtë moment të kampionatit, nuk besoj se e ka këtë presion apo këtë hall, pasi këto çështje shihen në fillim të kampionatit. Për më tepër është një sfidë apo statistikë mes dy tifozërive. Tani Tirana ka hall që të fitojë dhe të shpëtojë sezonin. T’i japë një mundësi vetes për të qenë në “Final 4” dhe më pas për të pretenduar një nga tre vendet e para. Edhe vendi i tretë të çon në Konferencë Ligë. Edhe për vendin e tretë do të luhet fort. Kam fjalën për finalen e vogël që ka qëllim Europën si dhe finalja e madhe e titullit.

Muça është ish-kapiten i Tiranës, një qendërmbrojtës me eksperiencë, tani trajner, por çfarë ka kjo skuadër që pëson shumë gola?

Është e vërtetë që ka pësuar shumë gola. Personalisht mendoj se nuk është çështje reparti, por problemi ekzistonte që kur skuadra kishte kontingjent të plotë para janarit. Problemi ekziston te faza sesi mbron ekipi sesa reparti mbrojtjes. Edhe ky i fundit ka pasur shumë problematika. Mungesa e një mbrojtësi të djathtë ka sjellë jo pak boshllëqe në ekip. Dëmtimet e shumta i ka pasur me mungesa të rëndësishme si Hoxhallari dhe Najdovski. Kjo është një situatë që e ka dëmtuar shumë skuadrën, por e përsëris, duhet vënë theksi te aspekti difensiv i gjithë skuadrës.

Ju folët për gjendjen, por eliminimin nga Kupa si e pe?

Një ndeshje që nuk solli një përmbysje. Ai goli i minutave të para dha shumë shpresë, por atë edhe fati nuk ishte me skuadrën e Tiranës. Shumë shtylla dhe raste. U prit përmbysja edhe pse në sfidën e parë u rrezikuan shumë. Te kjo ndeshje, shpresova shumë te përmbysja. Ndoshta edhe nga gjendja e kundërshtarit që ishte në fundin e tabelës, por qëlloi që Kukësi kaloi. Kjo më tepër për meritë të Tiranës që nuk shënoi sesa për aftësinë e Kukësit për të mos pësuar gol dhe për ta çuar ndeshjen në shtesë.

Tirana ka sulmin më të mirë në letër dhe në fushë. Çfarë nuk shkon në këtë repart?

Një skuadër që nuk mbron dhe sulmon e gjitha nuk mund të quhet skuadër. Mbrohet dhe sulmohet në grup. E thashë edhe më lartë. Luhatjet që kanë ndodhur gjatë gjithë sezonit janë faktorë që ndikojnë te paraqitja e skuadrës dhe lojtarët individualisht.

Gent Muça është një nga ata që ka dalë kampion me Tiranën. Ka luajtur pa fund kundër Partizani. Po cili është derbi më i bukur që ke luajtur?

Përsa i përket emocioneve ka pafund ndeshje që të lënë dhe më kanë shenjë. Ndeshje që janë në katër stadiume, madje edhe në Elbasan ka pasur lezet, por sigurisht atmosfera e 2014-2015-ës ka qenë në një nivel të lartë emocional.

Një plus dhe një minus për Tiranën në këtë derbi?

Minusi është presioni që është në disfavorin e saj, dhe të klubit. Plusi është që do të shohim një Tiranë pa rezerva dhe do të luhet për gjithçka.

Pyetja e fundit që ndoshta është edhe retorike, por cila skuadër fiton derbin?

Unë sigurisht që dua të fitojë Tirana, por të vjen keq që gjatë gjithë sezonit ka pasur mundësi të fitojë derbin dhe ndeshje të tjera dhe nuk i ka shfrytëzuar. Ndoshta në këtë moment delikat arrin ta bëjë dhe të ketë sukses.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"