Shërimi çështje kohe, Ibra prezanton çamçakëzin: Nuk jam Supermen! Dua të jem ndaj Juves, penalltitë i godas unë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2021 | 10:52

Shërimi çështje kohe, Ibra prezanton çamçakëzin: Nuk jam Supermen! Dua të jem ndaj Juves, penalltitë i godas unë…

Tendina e tij e Akilit vijon ta shqetësojë, ndaj edhe Zlatan Ibrahimoviç e ka marrë me qetësi lajmin e një mungese të mundshme kundër Juventusit të dielën në 20:45 në “Allianz Stadium”.

ibra

I pranishëm në një event promovues për firmën e tij të çamçakëzëve energjitikë, 39- vjeçari ka dhënë një intervistë të shkurtër gjatë së cilës ka folur për gjendjen e tij fizike, objektivat e Milanit dhe Super Ligën.

Tifozët e Milanit janë në merak. Do të luani kundër Juventusit?

Kam një problem në tendinë. Nuk është shumë serioz, megjithatë nuk dua të nxitohem. Së bashku me stafin e mjekëve do ta vlerësojmë dëmtimin tim çdo ditë. Nëse do të jetë përmirësuar situata atëherë do të vihem në dispozicion të trajnerit.

Po stërviteni vetëm apo me grupin?

Vetëm. Nuk dua të rrezikoj sepse nuk dëshiroj të humbas aq shumë ndeshje si në sezonin e kaluar kur hyja e dilja nga fusha me frekuencë të lartë. Sivjet nuk dua të gaboj asgjë dhe të dëgjoj fizikun pa menduar se jam Superman-i. Problemi im është që punoj shumë sepse më pëlqen të vuaj.

A ka formulë për ndeshje si ajo kundër Liverpulit?

Me kalimin e kohës dhe rritjen në përvojë kam kuptuar se mendësia ka tepër rëndësi, sidomos në këto lloj ndeshjesh. Në rastin tim, mendja funksionon mirë, ndërsa fiziku herë pas herë bën teka. Kur koka është më e fortë se fiziku nuk shkojnë mirë, megjithatë në rastin tim vazhdojmë të përpiqemi.

Si përballohen apo fitohen të tilla takime?

Sekreti qëndron në të kuptuarin e faktorëve që nevojiten për t’u ngjitur në majë dhe çfarë duhet për të qëndruar aty. Në fazën që po kalojmë nevojiten shumë sakrifica për të ruajtur vazhdimësinë, megjithatë besoj se te Milani ka cilësi për t’ia dalë mbanë. Skuadra e kuptoi ndaj Liverpulit se me çfarë ritmi luhet në Europë. Kur mbaroi kampionati i kaluar i pyeta se kush kishte luajtur në Champions. Vetëm 2 a 3 prej tyre ngritën dorën dhe kujtova se po talleshin, por ja që ishte e vërtetë.

IBRAHIMOVIC

Mendimi juaj për paraqitjen e së mërkurës?

Për shumë nga shokët e mi ajo ishte ndeshja e parë në Champions dhe rivali ishte ndër ekipet më të forta të turneut. Besoj kanë kuptuar shumë nga ajo ndeshje dhe besoj se tashmë e dinë se çfarë duhet bërë. Nuk them se vjet arritëm të dytët për meritën time, por them se tani është më e qartë se çfarë duhet. Mjafton të kujtojnë se nga ku ka nisur ky rrugëtim.

Çfarë i mungon Milanit për të qenë në lartësinë e Champions-it?

Ne jemi dhe e kemi merituar. Tani duhet diçka më tepër për t’u kualifikuar dhe shokët e dinë. Punojnë çdo ditë për t’u përmirësuar, kanë më tepër uri dhe të rinjtë që kanë ardhur e kanë përthithur mendësinë e grupit.

Kesi humbi një penallti ndaj Lacios. Mbase i nevojitet çamçakëzi juaj?

Se mos i godet ai. Nëse do të jem në fushë do të kërkoj që ta ekzekutoj unë.

Mund të na jepni një mendim për Super Ligën?

Mendimi, dhe jo vetëm i imi, por i të gjithë futbollistëve duhet të ishte kërkuar në momentin që filloi të mendohej për një turne të tillë. Gabuan duke mos na pyetur, fundja jemi ne lojtarët që zbresim në fushë.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"