Shënon vetëm gola spektakolarë, rrëfehet Ndreca: Më frymëzojnë… nipat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2021 | 17:11

Shënon vetëm gola spektakolarë, rrëfehet Ndreca: Më frymëzojnë… nipat

Edison Ndreca ua ka marrë “dorën” golave spektakolarë dhe një të tillë e shënoi ndaj Vllaznisë duke i dhënë edhe qetësinë skuadrës së Kukësit. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi i majtë i verilindorëve shprehet i lumtur për rrjetën e realizuar dhe zbulon se asgjë nuk është rastësi. 27-vjeçari ia dedikon golat nipave të tij, të cilët i ka edhe tifozë personalë.

Edison Ndreca Kukesi

“Normale që u ndjeva mirë që shënova. Kemi punuar gjatë gjithë javës me një skemë që unë të sulmoj në shtyllën e dytë dhe të shërbej për shokët. Nëse do të kem hapësirë duhet të godas direkt portën dhe isha me fat që ashtu rezultoi. U ndjeva mirë, pasi ishte goli i sigurisë dhe vulosi rezultatin përfundimtar duke na dhënë qetësinë e duhur. Sa herë që shënoj, gjithmonë i dedikoj golat. Janë nipat e mi që më frymëzojnë dhe goli shkon për ta, pasi ata më ndjekin në çdo përballje nga ekrani dhe më sjellin fat”, u shpreh fillimisht Ndreca, i cili shënon golin e dytë këtë kampionat, pas atij ndaj Kastriotit, gjithashtu, spektakolar.

PRETENDIMET –  Mbrojtësi ndalet edhe te pretendimet e skuadrës së Kukësit, e cila në këto gjashtë javë ka treguar jo vetëm futboll të bukur, por edhe ka ditur të marrë rezultatet duke u radhitur mes pretendentëve. Megjithatë, ai është me “këmbë në tokë” duke menduar vetëm për ndeshjen e radhës. “Për Kukësin e dinë të gjithë se çfarë pretendimesh ka. Për momentin në mendjen tonë është vetëm përballja e radhës në kalendar, të cilën duam ta kalojmë me sukses. Fituam dhe morëm tri pikët, por tani do të mendojmë për Dinamon. Si gjithnjë do të hyjmë në fushë për të marrë maksimumin dhe llogaritë normalisht do të bëhen në fund”, deklaroi mbrojtësi i majtë i verilindorëve.

POZICIONI – Edhe pse një mbrojtës krahu, Ndreca ka treguar se e njeh mirë portën dhe golat nuk vijnë rastësisht, sepse edhe sezonin e kaluar shënoi 6 herë me Bylisin. Ai pohon se ndihet mirë në pozicionin e tij natyral dhe jep 100 për qind në çdo ndeshje. “Në të gjitha përballjet që kemi zhvilluar deri tani kam luajtur në pozicionin tim natyral. Jam mbrojtës i majtë dhe aty ndjehem mirë. Njëkohësisht, ndjehem shumë mirë për ecurinë time, pasi edhe skuadra ka reaguar pozitivisht dhe kam dhënë 100 për qindëshin tim. Nuk e kam problem se ku luaj, pasi jam i gatshëm për stafin çdo moment”, mbylli prononcimin e tij për gazetën një nga titullarët e padiskutueshëm të teknikut Diego Longo.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"