Shënon dhe fiton, Ibrahimoviç drejt misionit të fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2020 | 19:30

Shënon dhe fiton, Ibrahimoviç drejt misionit të fundit

Siç e thotë shpesh, erdhi te Milani për të fituar. Në sezonin e kaluar, Zlatan Ibrahimoviçit iu desh të kënaqej me titullin virtual të postpandemisë, por gjithsesi vendosi të qëndronte kuqezi për të tentuar trofe të vërtetë dhe një kualifikim në Champions, që mundon prej shumë kohësh në kalendarin e “Djallit”. Rrugët për t’ia dalë mbanë janë dy.

Ibra

Njëra kalon nga kampionati, teksa tjetra, me etapa, është përmes Ligës së Europës. Këtë trofe Ibra e fitoi në 2017-ën si pjesë e Mançester Junajtidit, por duke munguar në finalen e “shtëpisë” (u luajt në Stokholm) kundër ekipit që e rriti (Ajaks). Në këto kushte Ibra rigjen stimujt e nevojshëm për të mbyllur, si duhet, një rreth të ndërtuar me trofe ndër të cilët i mungon vetëm Champions-i.

BURIME – Zlatan Ibrahimoviç, për shkaqe të lidhura me moshën (39 vjeç më 6 tetor) nuk mund t’i lejojë vetes programe afatgjata, megjithatë motivimi nuk i mungon. Milani e ka vendosur në qendër të projektit, shokët ia ndiejnë karizmën teksa lidhja me Çalhanoglunë forcohet çdo ditë e më shumë, siç u pa ndaj Shamrokut dy ditë më parë. Edhe në Irlandë, suedezi rezultoi vendimtar e jo vetëm për shkak të golit që hapi takimin.

Me pozicionimet e tij ai ndërtoi lojën dhe ishte gjithmonë një variant i mirë për shokët me topin ndër këmbë. Falë përvojës, Ibra mori ekipin mbi supe duke ua hequr presionin e ndeshjes kolegëve më të rinj në moshë. 39 vitet nuk duken si pengesë, aq më tepër kur edhe vetë sulmuesi konfirmon: “Nëse këmbët nuk përgjigjen, atëherë duhet përdorur mendja. Fundja është ajo që komandon”.

SITUATA – Në “Tallaght Stadium”, Ibrahimoviç mëkatoi fare pak. Mori dhe dha shkelma, teksa i mungoi vetëm sprinti si në rastin kur Kesi e shërbeu në thellësi. Ajo që suedezi bën në fushë është oksigjen i pastër për manovrën kuqezi e jo më kot Stefano Pioli këmbënguli fort që numri 11 të qëndronte në ekip.

Për cilësitë e 38-vjeçarit ishin të bindur edhe drejtuesit (Maldini e Masara) teksa nuk u desh shumë për të bindur edhe Gazidhisin që financoi operacionin e rrogës prej 7 milionë eurosh të lojtarit. Është ende herët për përfundime, por nga ajo që u pa në Dublin, duket sikur Ibra e ka nisur sezonin me këmbën e mbarë.

Një lojtari të tillë nuk i duhet ta teprojë dhe vetë Zlatani e di se tepria nuk është më e nevojshme. Mirë apo keq, ai është një lojtar unik i cili vë baste, e shpesh fiton, me fizikun e tij. Një kupë me Milanin nuk do t’i bënte keq, por edhe pse trofetë janë ende shumë larg, askujt nuk i kushton gjë të ëndërrojë. Fundja, klubi e mori për një mision të caktuar: Të ngrejë stekën e të ndezë ambicie që në anët e Milanos kuqezi dukeshin si të harruara.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"