Shembja e “Prestige Resort”/ Deputetja e PD, letër të hapur presidentes së Komisionit Europian: Rama po përdor Samitin për të ulur efektin e këtij turpi qeveritar!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2022 | 14:30

Shembja e “Prestige Resort”/ Deputetja e PD, letër të hapur presidentes së Komisionit Europian: Rama po përdor Samitin për të ulur efektin e këtij turpi qeveritar!

Nga foltorja e Parlamentit, deputetja e Partisë Demokratike Flutura Açka, iu drejtua me një letër të hapur Presidentes së Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, ku e njeh me problematikat e vendit tonë. Açka e nis që nga trajtimi dhe mungesa e mbrojtjes ndaj grave, te mungesa e lirisë së medias. Lidhur me këtë të fundit, deputetja e PD-së i kujton Presidentes së Komisionit Evropian se Kryeministri shqiptar me të cilin takohet sot shembi pa pritur vendimin e Gjykatës hotelin e pronarit të një grupi mediatik pasi ajo e përshkroi “Nuk hedh sheqer në sazet e qeverisë”.

ursula flutura acka

FLUTURA AÇKA

E DASHUR URSULA VON DER LEYEN,

Mirë se të vini nesër (sot), në një ditë historike për shqiptarët. Mirë se të vini nesër, edhe kur Shqipëria të jetë Evropë politike, jo vetëm gjeografike. Përtej mikpritjes kanunore për të cilën kemi arsye të krenohemi, ne e dimë se nuk vini vetëm ju fizikisht, por vijnë idetë tuaja, edhe ai optimizëm që dikur e barte, edhe pse me naivitet, Kandidi i Volterit, në shëtitjen e gjatë nëpër Evropë, duke bërë thirrje se “duhet ta kultivojmë kopshtin tonë”. Idetë e dizajnuan Evropën.

Idetë e ngritën Europën. Idetë do ta mbajnë Evropën. Idetë e atyre njerëzve të mëdhenj, që prej probabilitetit më së shumti vijnë nga popuj të mëdhenj. Dhe ne nuk hyjmë aty. Kjo nuk na dëshpëron, kemi pasur edhe ne disa njerëz të mëdhenj, prej të cilëve jemi ende në këmbë, të cilët na kanë këshilluar si ta ruajmë identitetin, si të jemi një edhe pas skizmash të mëdha si shqiptarë kësaj ane dhe asaj ane të kufirit ku rrojnë shqiptarët në Ballkan.

Asnjëherë nuk kemi qenë më të fortë dhe më bashkë si shqiptarë, aq sa ju kemi vënë në punë të na futni një a dy shtete në Evropë, të ndarë a bashkë. Në hall jeni, por kam ndjesinë se ne do ta zgjidhim edhe më shpejt se zgjidhja politike që mund të vijë nga idetë. Ju do t’ju duhet vetëm ta protokolloni ndreqjen e asaj që botërisht është quajtur si skizma evropiane e shqiptareve.

Ne nuk do të bëjmë në këtë histori evropiane asnjë trafik moral, as politik, as njerëzor, as patriotik. Sikurse Volteri që ju përmenda më lart, edhe ne, kur të na hapni portën, do të themi në doganën tuaj ato që tha Volteri te hynte fshehurazi në Francë: Kam kontrabandë vetëm personin tim, pra trupin dhe shpirtin tim.

Për Ju, dhe kolegët tuaj, Samiti i nesërm është në rutinën e punës suaj për të bërë një Evropë më të bukur, ne na mbetet vetëm të përligjim atë që ju e dini, se ne jemi ndër kombet më pro evropianë të mbetur jashtë këtij atdheu politik që quhet Evropë, sepse gjeografikisht, moralisht, ideologjikisht dhe në përmbushje të të gjitha paradigmave që ka shpikur njeriu, ne jemi evropianë. Unë që ju shkruaj jam mes njerëzve më pak politikë që ka ky Parlament, por skajmërisht e angazhuar politikisht me përgjegjësinë që kam në të gjitha vektorët e jetës sime. Jo se jam apolitike, jo se dua të jem, apo se më detyrojnë të jem. Jo. Thjesht kam kuptuar se në këtë Shqipëri, e kam hasur shumë shpesh atë të cilën Makiaveli e la me sigurinë klinike se “Politika nuk ka lidhje me moralin”.

Në këtë Parlament ndonjëherë nuk bëhet politikë, por retorikë. E kam fjalën për politikën e mirë, që i sjell begati qytetarëve të vet. Qytetari në këtë vend ndonjëherë është send, Ursulë, është numër amze, është dosje e pluhurosur gjykate, është orendi për demokracinë, një votë e konvertuar në para, jo bashkëpunëtor i politikës për të bërë Shqipërinë më të mirë. Po t’i them këto sot, por nesër mund të akuzohem se po e shaj Shqipërinë në gjuhë të huaj. A është më mirë të shaj unë në gjuhë të huaj apo të hesht kur i vjedhin shqip shqiptarët?

AKUZAT NDAJ QEVERISË

Ata që ju shfaqen ndonjëherë si shteti i shqiptarëve, si qeveritarë shqiptarë, janë shtet-pushteti i ardhur me vjedhje votash dhe që drejton me vjedhje vullnetesh çdo ditë. Këtë vrajë antievropiane, do të na duhet ta shërojmë e ta bëjmë evropiane. Mua, që po ju flas, ma kujtojnë shpesh që jam grua, pra që jam më e dobët, që jam më e pamundur. Kjo, sepse një ndër tre gra në këtë vend dhunohet dhe nuk mbrohet aq sa duhet nga shteti. T’ia hapësh kafkën një gruaje këtu, është zeja më e shpeshtë e shitoreve tona morale.

Ju keni vendosur të flisni për emigrimin dhe mundësinë e kthimit të atyre shqiptarëve që ikin përditë nga sytë këmbët. Plot 1 milion shqiptarë e kanë braktisur atdheun e tyre në dhjetë vitet e fundit, me letra e pa letra. E pra, erozion më të madh demokrafik kjo Shqipëri nuk ka parë në tri dekadat e fundit. Por, të ikurit e dinë, ju nuk i keni shtruar flokëse për ta, por ofroni politikat e vendeve tuaja që garantojnë siguri, së paku, dinjitet të thjeshtë njerëzor.

Ky është një ankth antievropian që ne na duhet ta shërojmë. Ju do të flisni për terrorizmin, për sigurinë, për shtetin. Por, ju duhet të më ndihmoni mua të parën të çlirohem nga patronazhisti im dhe mbi një milion e gjysmë shqiptarë te denjë për të vendosur për qeverisjen e tyre, nga paranoja e patronazhistëve të tyre, nga imituesit më të tmerrshëm të një aparati që e kontrolloi frymën e këtij populli për gati gjysmë shekulli. Ju do të flisni për terrorizmin, por hidhni sytë nga avioni të shihni terrorin territorial të tokës sonë, helmimin që i bëjmë atdheut.

Pa ligje urbanistike, pa dhimbje mjedisore, pa kurrfarë shqyrtimi për detyrimin ndaj brezave. Bëni një xhiro në qendër dhe i shihni se si “Ndragheta” na bën sehir nga katet e larta të kullave tona nacionaliste. Ju do të flisni për luftën në Ukrainë, por këta e përdorën luftën për të ngritur borde antiligjore, për t’i ngritur çmimet e naftës dhe për t’i kërcënuar qytetarët shqiptarë me ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, për të mos folur për ujin, edhe pse Shqipëria është një nga vendet më të bekuara me burime hidrike në Ballkan.

LIRIA E MEDIAS

Flisni, ju lutem për lirinë e medias, sepse aty jemi në bisht të historisë. Për gazetarët e keqpaguar, të pambrojtur, të fyer me hargalisje nga pushtetarët, të cilët në këta tridhjetë kurrë nuk dhanë llogari. E pra, dje, një ditë para se të vije ti, u shemb njëra këmbë e urës ku mbahet një grup i njohur mediatik shqiptar vetëm se nuk hedh sheqer në sazet e përditshme qeveritare. Dhe madje, po e përdor ardhjen tënde, për të ulur efektin e këtij turpi qeveritar.

As ligje, as rregulla, as gjykatë nuk ndihmon të qetësojmë malcimet tona antievropiane të këtij lloji. Po e mbyll këtu, duke të kujtuar shprehjen e Martin Luther Kingut, se ne “nuk e bëjmë historinë, por jemi të bërë nga historia”. Dhe kjo mbase është piskama me të cilën dua ta mbyll këtë fjalë e të ftoj edhe kolegët e mi sonte: Ejani të mos bëjmë histori, por të bëhemi nga historia, që të kujtohemi (për mirë) nga historia.

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

Tjetër sulm i Qeverisë ndaj “Prestige Resort”, nxirren me forcë pushuesit dhe punonjësit. Policia pa paralajmërim që në orët e para të mëngjesit (VIDEO)

Sulmi i qeverisë ndaj “Prestige Resort” në nisje të muajit të festave/ Nga Armando Broja deri te VIP-at e ndryshëm, ja cilët preferuan perlën e turizmit shqiptar

Sulmi ndaj “Prestige Resort”/ Drejtori i Mediave “Panorama”: Hakmarrje, nuk ka asnjë shkresë zyrtare! Në Tiranë bëhet spektakël me kullat pa leje

Sulmi i paligjshëm i Qeverisë në “Prestige Resort”/ Forca të shumta policie në ditën e dytë të aksionit të pa paralajmëruar, mbërrijnë edhe… (VIDEO)

Vjet strehoi refugjatët afganë, sot i çoi pa asnjë njoftim policinë/ Metamorfoza e Edi Ramës me urdhrat e paligjshëm ndaj “Prestige Resort”

Botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami publikon takimin me Presidentin e “Hysenbelliu Group” Irfan Hysenbelliun: Histori suksesi që frymëzon

Hyn në ditën e katërt sulmi ndaj “Prestige Resort”/ IKMT dhe forcat xheniere nuk njohin orar zyrtar apo ditë pushimi, aksioni i paligjshëm nuk ndalet as natën

IKMT e vendosur të çojë deri në fund marrëzinë, nuk pret Gjykatën për “Prestige Resort”: Ngarkon godinën me 70 kilogram eksploziv

IKMT hedh në erë “Prestige Resort”. 70 kg eksploziv për të shembur miliona euro investim, një ditë para se të jepte vendim Gjykata Administrative

IKMT hodhi në erë “Prestige Resort”, flet Presidenti i “Hysenbelliu Group”: Sulm mediatik dhe personal i Ramës, por nuk më demoralizon

IKMT hodhi në erë “Prestige Resort”, Irfan Hysenbelliu: Hakmarrje personale e Ramës dhe Ballukut për mediat, nuk demoralizohem!

“Tmerr! Ai po vendos mina, nuk e di ç’mund të presim nga Edi Rama”/ Shkatërrimi i “Prestige Resort”, qytetarët të indinjuar: Do të tërhiqet zvarrë më keq se Enver Hoxha

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"