IKMT hodhi në erë “Prestige Resort”, Irfan Hysenbelliu: Hakmarrje personale e Ramës dhe Ballukut për mediat, nuk demoralizohem!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2022 | 11:25

IKMT hodhi në erë “Prestige Resort”, Irfan Hysenbelliu: Hakmarrje personale e Ramës dhe Ballukut për mediat, nuk demoralizohem!

Presidenti i “Hysenbelliu Group”, Irfan Hysenbelliu, pronar i resortit turistik “Prestige Resort”, si dhe gjithashtu botues i gazetës më të madhe në vend, “Panorama Sport”, ka reaguar dje pas aktit të rëndë të IKMT-së, që është në shkelje të plotë të ligjit.

IRFAN HYSENBELLIU

Në një lidhje direkte për televizionin “News 24”, menjëherë pas shembjes së resortit, zoti Hysenbelliu e cilësoi këtë veprim si një sulm ndaj medias së lirë, duke theksuar se kryeministri Rama donte të ndryshonte linjën editoriale të “Focus Media Grup”. Hysenbelliu theksoi se do të hapë në SHBA degën e “News 24”, duke e cilësuar si një zë të fuqishëm mediatik.

“Jam i qartë për gjithçka që ka ndodhur. E njoh shumë mirë trurin e Ramës. E njoh prej kohësh, pasi kemi qëndruar bashkë shpesh. Unë u prononcova tani, sepse ai bëri një zgjidhje ekstreme. Nuk është vetëm hakmarrje mediatike, por edhe personale. Fëmijët e mi u shkolluan në Londër dhe i ktheva këtu.

Kjo që bëri sot (dje) kryeministri nuk më demoralizon. Unë kam provuar edhe vitin 1997-të, që humba të gjithë importin. Me këtë veprim që ka bërë kryeministri i vendit tim tregon si kërkon ta zhvillojë këtë vend. Arkitektët shqiptarë i ka nxjerrë jashtë loje. Ka neveri ndaj tyre, a thua se ka lindur jashtë Shqipërisë dhe njeh vetëm ata! I dinë shumë mirë të gjithë veprimet e tij. Unë vetëm sot (dje) jam kthyer nga SHBA-ja, sepse nuk doja t’u besoja syve për atë që po ndodh.

Kjo më detyroi që në SHBA unë të hap degën e ‘News 24’. Ta hap atje me qëllim se është një zë i fortë i botës. Do të jem me njerëz që kërkojnë drejtësi, me njerëz që luftojnë korrupsionin, me njerëz që kanë fuqi, me njerëz që kanë vite që e kanë ngritur atë shtet.

Jam shumë krenar me stafin që punojnë në televizion dhe gazeta. Të gjejnë një person nga stafi im që të ketë blerë një vilë?! Të gjithë punojnë me ndershmëri”, ka thënë fillimisht zoti Hysenbelliu, ndërsa komentoi edhe veprimet e Belinda Ballukut, e cila është ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë që prej janarit të vitit 2019-të, ndërsa si zv.kryeministre prej gushtit të 2022-shit.

“Unë mund të them vetëm një gjë për Ballukun, që ishte kaq e zjarrtë, sepse të gjithë institucionet e saj ishin aty, si KESH, OST etj… Ju patë një dosje të tërë të abuzimeve publike sepse Rama nuk firmos. Qytetarët janë të terrorizuar.

Edhe në kohën e Enver Hoxhës, njerëzit çoheshin dhe flisnin, pranonin edhe burgun. Sot nuk çohen! Ai do të krijojë një sistem presidencial me pushtet të pakufishëm”, theksoi Hysenbelliu. Ndërkohë, IKMT-ja nuk priti që çështja të shqyrtohej sot në Gjykatën Administrative të Durrësit.

“Më vjen keq për Dallëndyshe Bicin, që më njeh shumë mirë dhe kemi folur shpesh në telefon, por tani e ka mbyllur dhe nuk përgjigjet. Kryeministri vetë vinte dhe jepte mendime duke zgjedhur arkitektin e projektit. Bashkia e Kavajës merrte taksë, tatimet po ashtu, punëtoret i kemi pasur të gjithë me sigurime dhe paguheshin 100%…

Pse nuk i bëri këto veprime në shtator kryeministri?! Ai vajti dhe i çoi njerëzit barbarisht në mes të plazhit dhe dha një sinjal”, shtoi Hysenbelliu.

“DENONCUAM ÇDO DITË KORRUPSIONIN”

Presidenti i “Hysenbelliu Group” deklaroi më tej se duke e parë që grupi mediatik denoncon çdo ditë korrupsionin, PPP-të dhe problemet me infrastrukturën, kryeministri Rama mori këtë vendim me zëvendëskryeministren Balluku. Ai shtoi se ka informacione që janë afër njëri-tjetrit për të organizuar këtë aksion.

“Duke e parë që grupi mediatik denoncon çdo ditë korrupsionin, PPP-të, infrastrukturën, energjinë dhe ky veprim është i akorduar me zonjën Balluku dhe Ramën. Kemi informacione që janë afër njëri-tjetrit për të organizuar këtë aksion. Të gjitha institucionet që ka Balluku, e keni parë se çfarë ndodh?! Rama e hedh firmën i fundit.

Ai ka kapur çdo lloj drejtësie, gjyqtarët janë të terrorizuar. Më vjen shumë keq për këtë veprim që e shohin shqiptarët, nuk më ka ndodhur të më shkruajnë kaq shumë, që janë në krahun tim. Kjo nuk është mirë për investitorët e huaj. Nuk është debati i parë, Rama ka bërë një luftë të paparë me mua kur ka ardhur në pushtet.

Vinte te universiteti ‘Luarasi’ dhe çonte gjithë policinë kur ka qenë ministër Saimir Tahiri. Pse e ndryshon kursin Edi Rama, sepse kërkon të ndryshojë vijën editoriale… Kisha besim tek ai në fillim, por kur ky jep PPP-të me një copë letre për 2 sekonda… Edhe në kohën e Enver Hoxhës njerëzit flisnin, sot ai i ka terrorizuar. Investitorët që kanë frikë të marrin në telefon, se janë të terrorizuar”, nënvizoi kreu i “Focus Media Grup”, ku përfshihet televizioni “News 24”, gazeta “Panorama” dhe “Panorama Sport”, “Gazeta Shqiptare” dhe të tjera.

“TË GJITHË DUAN TË LARGOHEN NGA SHQIPËRIA”

Në fund të prononcimit të tij, zoti Hysenbelliu theksoi se situata në vend është e pashpresë. “Të gjithë shqiptarët i dinë, emigrimi është pa masë. Po shkojnë në Angli fëmijët e shumë nënave dhe thonë më mirë atje në burg, se në vendin tonë.

Edhe fëmijët e mi u kthyen në Shqipëri, pasi u shkolluan jashtë. Kanë marrë një vendim që duan të investojnë bashkë me mua këtu. Unë fëmijëve të mi u them të ikin nga ky vend dhe të investojnë në vende të tjera, si në Angli. Nuk ka ndodhur as në kohën e Enver Hoxhës, por qoftë edhe me kryeministrat e mëparshëm, që mund të kenë bërë veprimet e tyre, por të paktën çonin letra nga ana ligjore përpara se të bënin diçka.

Shteti aktual nuk na ka dërguar asnjë shkresë dhe u them që ka qenë një presion i jashtëzakonshëm. Pse nuk e bëri këtë veprim në muajin shtator, por ai vajti barbarisht në mes të pushuesve, në mes të të huajve dhe fëmijëve që qanin, duke dhënë një sinjal. Ai e bëri më mbrapa prishjen totale, duke parë që grupi mediatik denoncon çdo ditë.

Ky veprim është i koordinuar me zonjën Balluku dhe ai e di shumë mirë. Më vjen shumë keq për këtë veprim që e shohin të gjithë shqiptarët. Më kanë bërë shumë telefonata që jemi në krahun tënd. Kjo nuk është e mirë as për ne”, përfundoi deklaratën e tij presidenti i “Hysenbelliu Group”.

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

Tjetër sulm i Qeverisë ndaj “Prestige Resort”, nxirren me forcë pushuesit dhe punonjësit. Policia pa paralajmërim që në orët e para të mëngjesit (VIDEO)

Sulmi i qeverisë ndaj “Prestige Resort” në nisje të muajit të festave/ Nga Armando Broja deri te VIP-at e ndryshëm, ja cilët preferuan perlën e turizmit shqiptar

Sulmi ndaj “Prestige Resort”/ Drejtori i Mediave “Panorama”: Hakmarrje, nuk ka asnjë shkresë zyrtare! Në Tiranë bëhet spektakël me kullat pa leje

Sulmi i paligjshëm i Qeverisë në “Prestige Resort”/ Forca të shumta policie në ditën e dytë të aksionit të pa paralajmëruar, mbërrijnë edhe… (VIDEO)

Vjet strehoi refugjatët afganë, sot i çoi pa asnjë njoftim policinë/ Metamorfoza e Edi Ramës me urdhrat e paligjshëm ndaj “Prestige Resort”

Botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami publikon takimin me Presidentin e “Hysenbelliu Group” Irfan Hysenbelliun: Histori suksesi që frymëzon

Hyn në ditën e katërt sulmi ndaj “Prestige Resort”/ IKMT dhe forcat xheniere nuk njohin orar zyrtar apo ditë pushimi, aksioni i paligjshëm nuk ndalet as natën

IKMT e vendosur të çojë deri në fund marrëzinë, nuk pret Gjykatën për “Prestige Resort”: Ngarkon godinën me 70 kilogram eksploziv

IKMT hedh në erë “Prestige Resort”. 70 kg eksploziv për të shembur miliona euro investim, një ditë para se të jepte vendim Gjykata Administrative

IKMT hodhi në erë “Prestige Resort”, flet Presidenti i “Hysenbelliu Group”: Sulm mediatik dhe personal i Ramës, por nuk më demoralizon

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"