BASKETBOLL/ Krosfiti dëmton “Asllan Rusin”, bëhet lëmsh kalendari i kampionatit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2024 | 19:00

BASKETBOLL/ Krosfiti dëmton “Asllan Rusin”, bëhet lëmsh kalendari i kampionatit

Besëlidhja dhe Tirana do të luajnë sot ndeshjen e tretë gjysmëfinale të “play off”-it në kampionatin kombëtar të basketbollit për meshkuj. Sipas kalendarit fillestar takimi duhej të zhvillohej në kryeqytet, në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, aty ku i luajnë lezhjanët ndeshjet e tyre si skuadër pritëse.

WhatsApp Image 2024-05-01 at 4.44.36 PM (2) (1)

Por kjo përballje është zhvendosur në Shkodër në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, takim që do të startojë sot në orën 18:00. Shkak për këtë ndryshim axhende është bërë dëmtimi i parketit të “Asllan Rusit” nga një event krosfiti i mbajtur në parketin e sallës.

“Panorama Sport” ka siguruar fotot e parketit të dëmtuar, ku dallohen qartë dërrasat e shtrembëruara dhe të thyera të parketit, gjë që e bëjnë të pamundur zhvillimin e aktiviteteve të lojërave me dorë në këtë sallë, deri në riparimin e plotë të dëmtimeve.

WhatsApp Image 2024-05-01 at 4.44.37 PM (1) WhatsApp Image 2024-05-01 at 4.44.36 PM (3) (1) WhatsApp Image 2024-05-01 at 4.44.36 PM (1) (1) WhatsApp Image 2024-05-01 at 4.44.35 PM (1)

Duke u rikthyer te ndeshja gjysmëfinale, lezhjanët e Afrim Bilalit ndodhen vetëm një fitore larg kualifikimit për në finale, pasi i ka mundur në dy takimet e para bardheblutë. Drejtuesit e Besëlidhjes kanë vendosur në dispozicion të tifozëve autobusë për të pasur sa më shumë mbështetje në këtë takim të rëndësishëm. Besëlidhja po zhvillon një sezon të jashtëzakonshëm, si skuadra e vetme e pamposhtur në kampionat, me 22 fitore në po kaq ndeshje të luajtura.

Lezhjanët synojnë të bëjnë historinë, duke fituar titullin e parë kampion në për e klubin. Nga ana tjetër, Tirana do të ketë mundësinë e fundit për të mbajtur gjallë shpresat e mbrojtjes së kurorës si kampionë në fuqi. Për sa i përket gjysmëfinales tjetër, Teuta dhe Vllaznia do të matin forcat nesër në orën 19:00 në raundin e tretë në Durrës, teksa secila nga ekipet regjistron nga një fitore.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"