Shehi replikon me Dajën: Po sfidon ekipe 50% më të dobëta se vjet, Skënderbeu vjet ishte…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2019 | 22:07

Shehi replikon me Dajën: Po sfidon ekipe 50% më të dobëta se vjet, Skënderbeu vjet ishte…

Replikat në distancë kanë qenë në krye të gjithçkaje mes trajnerit Ilir Daja dhe ish-trajnerit të Skënderbeut, Orges Shehi, në lidhje me intervistën e këtij të fundit dhënë për “Panorama Sport” pak ditë më parë.

shehi

Intervistë e cila ka pasur reagimin e menjëhershëm të Ilir Dajës, trajneri aktual i Skënderbeut. I kontaktuar dje nga gazeta, ishtrajneri bardhekuq sqaron se komentet e tij në lidhje me Skënderbeun nuk janë bërë si një ish-trajner i korçarëve dhe as si trajner, por si një opinionist dhe janë mendime personale. Duke mos dashur të replikojë me Ilir Dajën, Orges Shehi u limitua vetëm të saktësojë pozicionin e tij kur dha atë intervistë për gazetën.

“Nuk kam asnjë arsye që të replikoj, pasi nuk e kam dhënë këtë deklaratë si një trajner në detyrë, por si një opinionist. Dhe në kushte të tilla kam shprehur opinionin tim, për atë që më është pyetur në atë intervistë. Jam limituar të flas vetëm në pozicionin e analistit apo opinionistit dhe ka qenë mendimi im personal dhe asgjë më shumë”, theksoi fillimisht Orges Shehi. Më tej ish-kapiteni i Skënderbeut preku edhe një herë në analizë kampionatin e sivjetshëm dhe Skënderbeun e këtij viti, duke e krahasuar me atë të sezonit të kaluar. Për Shehin, sezoni i vjetshëm kishte më shumë konkurrencë dhe nivel më të lartë të ekipeve, ndërsa tani të gjitha ekipet përfshi edhe Skënderbeun janë më dobët, për të mos thënë se janë 30 deri në 50% më poshtë se një vit më parë.

orges shehi

“Të flasim me shifra dhe me statistika, vërtet që Skënderbeu im ka qenë më i kompletuar sezonin e kaluar, por duhet të kemi parasysh se Skënderbeu nuk ka luajtur vetë në kampionat dhe nuk po luan vetë as këtë sezon. Ka pasur rivalë dhe krahasimi bëhet, duke parë edhe rivalët e tjerë se në çfarë gjendjeje janë. Vjet ishte një super-Partizan me një super ekip. Kukësi po ashtu kishte superekip. Teuta ishte shumë herë më mirë se këtë sezon. Kamza po ashtu ishte një kundërshtar i fortë, derisa u pezullua. Flamurtari ka qenë po ashtu një superskuadër në fazën e parë dhe në atë të fundit. Pa harruar edhe Luftëtarin, që kishte një ekip të fortë. Ndërsa këtë sezon shohim që të gjitha skuadrat kanë një rënie të ndjeshme nga sezoni i kaluar. Mund të them se janë 30 apo 50% më dobët se një vit më parë. Gjithsesi, duke u nisur edhe nga mënyra se si po zhvillohet sezoni i këtij kampionati, unë vazhdoj të mendoj se Skënderbeu është në garë të plotë për të qenë në vendet e para të renditjes”, mbylli prononcimin e tij Orges Shehi.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"