Shehi: Ekipi meriton 10 me yll, tifozët harruan që jemi kampionë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2017 | 11:04

Shehi: Ekipi meriton 10 me yll, tifozët harruan që jemi kampionë

Skënderbeu mbylli një natë dramatike dhe të çmendur të shtunën në Korçë, kur përballë Vllaznisë, pavarësisht se shkoi tri herë në disavantazh, arriti në minutat shtesë të mbyllte takimin në favorin e vet. Kapiteni Orges Shehi, në intervistën e dhënë pas ndeshjes, bëri me dije se fitorja ishte e rëndësishme në këtë moment kur kampionati u rihap plotësisht.

shehi vrapi ardian beqiri skenderbeu vllaznia arbitrat

Ai ftoi të tijtë që të vijojnë serinë e fitoreve edhe në katër ndeshjet e mbetura. Shehi u shpreh i zhgënjyer për sjelljen e tifozëve në minutat e fundit të takimit kur rezultati ishte 2-3 për Vllazninë dhe u bëri thirrje për më shumë mbështetje. Shehi, rrezikuat shumë kampionatin me një 90-minutësh të çmendur.

Çfarë ndodhi me Skënderbeun?

Ishte një ndeshje që me të vërtetë na ka falur emocione shumë të mëdha. Si kapiten i ekipit dua t’i vë këtij grupi lojtarësh jo notën dhjetë, por dhjetë me yll. Jo për lojën, por për grintën dhe shpirtin e skuadrës që u vu në fushë, pa kursyer edhe pikën e fundit të energjisë. Në fund morëm atë trepikësh kaq të rëndësishëm për ne.

A ishte shpirti i ekipit që fitoi këtë takim?

Po, ne besuam deri në minutat e fundit dhe arritëm ta përmbysnim ndeshjen. Unë e kam thënë edhe më parë që ky ekip, me këtë grintë dhe dëshirë për fitore, është si një familje e madhe. Mendoj se e treguam në ndeshjen ndaj Vllaznisë. Gjatë gjithë kohës e keni nisur me disavantazh takimin.

Sa e vështirë ka qenë ta përmbysnit?

Mendoj se ka qenë një ditë e keqe për të gjithë, ose të paktën për shumë prej nesh. Jemi ndëshkuar sa herë që Vllaznia zbriste në portën tonë. Kjo tregon se ishim në një natë të errët. Kjo ndodh një herë në dy-tre vjet. Ndoshta ky ishte momenti kur do të na ndodhte edhe ne, por për fat të mirë arritëm të dilnim me tri pikët nga fusha.

Ju ka habitur sjellja e tifozëve?

Më ka habitur shumë, për të qenë i sinqertë. Kur tifozët shprehen kështu për një skuadër që ka fituar gjashtë tituj kampion radhazi, çdo gjë bëhet e pakonceptueshme dhe e pashpjegueshme. Ndoshta këta tifozë kanë harruar se jemi ne ekipi që kemi dalë gjashtë vite radhazi kampion. Jemi kampionët në fuqi dhe në një moment të vështirë që ndodhemi, kur ekipi goditet psikologjikisht, ata e rëndojnë akoma situatën, në vend që të na japin zemër në fushë. Nuk di çfarë të them tjetër. Shpresoj të mos ndodhë më një skenë e tillë në Korçë.

Tashmë jeni një pikë larg kreut. Kampionati është hapur përfundimisht?

Kemi thënë që duhet të bëjmë ndeshjet tona dhe të mendojmë vetëm për sfidat që kemi përpara. Fatmirësisht në ndeshjen e fundit ia dolëm me sukses. Dhe tani duhet të fokusohemi te ndeshja e radhës. Duhet të jemi sa më të përqendruar në një 90-minutësh pa menduar për takimet e tjera, që luhen apo që do të luhen në vijim.

Një fitore si kjo, në minutat e fundit, si ndikon për anën psikologjike të ekipit?

Mendoj se duke qenë në një ditë të keqe ku asgjë nuk funksiononte si duhej për ne dhe të arrish të marrësh tri pikët, duke treguar këtë shpirt gare dhe këtë grintë dhe dëshirë për fitore, besoj se do të ndikojë për mirë në ekip.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"