“Shansi për vendin e parë, nuk mund të gabojmë”, Vila: Sezoni i titullit për Teutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2021 | 11:00

“Shansi për vendin e parë, nuk mund të gabojmë”, Vila: Sezoni i titullit për Teutën

Emiljano Vila festoi dje ditëlindjen e 33-të, teksa torta dhe shampanja gjigante në hotelin ku Teuta u grumbullua në prag të ndeshjes me Kastriotin, surprizuan lojtarin durrsakun. Mesfushori do të mbajë sot shiritin e kapitenit, në mungesë të Renato Arapit, i cili është i pezulluar për kartonë. Në ditën e shënuar për të, Vila pranoi të fliste për “Panorama Sport”, ndërsa beson shumë se ky do të jetë sezoni i titullit për Teutën. Humbja e djeshme e Vllaznisë mund të katapultojë “djemtë e detit” në krye pas ndeshjeve të sotme, por mesfushori bën apel që së pari duhet marrë seriozisht Kastrioti.

Emiljano Vila

Emiljano, luani ndaj Kastriotit një ditë pasi kryesuesit e Vllaznisë u ndalën dhe tani keni shansin që të shkoni të parët në renditje. Si e prisni këtë takim?

Të jem i sinqertë është një përballje e vështirë, pasi Kastrioti ka bërë mirë deri më tani. Natyrisht, ata do të mundohen të na e bëjnë edhe më të vështirë. Kemi folur shumë me shokët, jemi stërvitur mirë dhe shpresoj që sot të arrijmë atë që ne kërkojmë. Duhet të jetë detyrim fitorja, edhe pse në futboll nuk ka detyrime. Rëndësi ka të luajmë mirë për të shkuar te fitorja. Na duhen patjetër 3 pikë.

OK, por këtë herë si kurrë më parë gjatë sezonit do të përballeni me mungesat e disa titullarëve. Ju shqetëson ky fakt?

Natyrisht që çdo futbollist i Teutës është i rëndësishëm. Ne jemi 25 lojtarë dhe besoj se ata që do të futen në fushë, do ta bëjnë mirë. Fizikisht ekipi është shumë mirë. Kemi punuar edhe në aspektin psikologjik dhe të jemi të qetë për ndeshjen me Kastriotit. Jemi të ndërgjegjshëm se Teuta duhet të bëjë ndryshe nga sa bëri me Bylisin.

Në momentet kyçe të këtij kampionati keni zhgënjyer. Është kjo ndeshja, në të cilën Teuta duhet të shfrytëzojë në maksimum edhe kalendarin që kanë rivalët?

Në kampionatin shqiptar s’ka ekipe të dobëta apo ekipe të forta. Çdo ekip ka mundësinë të marrë pikë ndaj kujtdo kundërshtari. Mendoj që Kastrioti luan mjaft mirë futboll dhe të hapë probleme, kështu që si tri pikë ndaj tyre apo ndonjë skuadre tjetër, janë njësoj. S’ka rëndësi emri që kemi përballë, thjesht ne duhet të marrim tri pikët dhe të lëmë pas ato gabime që kemi bërë në të kaluarën.

Në Ballsh nuk ditët ta mbyllnit takimin dhe më pas e pësuat. Pse shpërdorojnë kaq shumë sulmuesit e Teutës?

Të gjithë duam të shpërthejnë sulmuesit, por kjo gjë duhet bërë në fushën e lojës. Shpresoj të jetë ndeshja e duhur që lojtarët e sulmit të shënojnë. Por, duhet theksuar se nuk është vetëm tek Teuta ky problem. Shumica e ekipeve vuajnë për të shënuar në Superiore.

Cilët mendoni se do të jenë rivalët më të fortë për titull deri në fund?

E kam thënë edhe më parë, janë 4-5 ekipe që do të shkojnë deri në fund. Ai që do të gabojë më pak, do të fitojë titullin. Është ende herët për të thënë një ekip që bën diferencën. Çdo gjë do të shihet me kalimin e javëve.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"