Sfida ndaj Apolonisë, kapiteni i Besës e di çfarë do: Synojmë vetëm fitoren!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2022 | 11:50

Sfida ndaj Apolonisë, kapiteni i Besës e di çfarë do: Synojmë vetëm fitoren!

Besa është gati për fitoren e parë. Pasi ka provuar barazimin dhe humbjen, tashmë kërkon që të festojë. Sot në orën 15:00 presin Apoloninë në stadiumin e Peqinit me mision të qartë, ndonëse e dinë që nuk do të jetë e lehtë. Skuadra dje mbylli përgatitjet në “sytë” e Nexhat Bizhdilit.

Perja2

Nga fillimi në fund, presidenti e ndoqi këtë seancë. Një formë kjo për t’i dhënë zemër, por edhe shtuar ndjenjën e përgjegjësisë. Me vetëm një pikë në renditje, kavajasit janë të detyruar për të gjetur kthesën e madhe.

Këtë e pohon edhe kapiteni Skerdjan Perja për “Panorama Sport”. Ai e thotë prerazi se as barazimi nuk bën punë.

“Në futboll nuk vlen vetëm të luash mirë, pasi në fund gjithçka matet me pikë. Nuk mban mend kush sa futboll të bukur prodhove, kur nuk ke rezultatin e duhur në krahë. Besa ka bërë atë që nuk duhet në këto javë të para.

Ka zhvilluar ndeshje mjaft të mira, kemi prodhuar lojë e raste, por në fund pikët nuk i kemi marrë. Vërtetë është fillimi i sezonit, por duhet të jemi në një hap me rivalët tanë. Nuk duhet të lejojmë që javët të ecin e ne të mbetemi te loja e mirë dhe rastet”, u shpreh fillimisht 31-vjeçari.

Apolonia do të jetë mysafirja e radhës në stadiumin e Peqinit dhe Perja e vlerëson kundërshtarin maksimalisht. “Apolonia ka një grup me djem të rinj, të talentuar, që kanë dëshirë dhe ego.

Ata vrapojnë pa fund dhe të njëjtën gjë do të bëjmë edhe ne. Nuk kemi rrugë tjetër veç të hyjmë në fushë me objektiv të qartë, që mbetet synimi i fitores.

E thashë edhe më lart, që jam i sigurt se do të dominojmë takimin me lojë e raste, por duhet finalizimi që kjo të marrë vlerë. Ajo që shpresoj e besoj është se, qoftë Onuh apo Hoxha, por dhe ne të tjerët, të tregohemi të qetë, të saktë para portës.

Pas kësaj jave, shpresoj që të paktën të kemi 4 pikë për të mos iu larguar kundërshtarëve tanë”, përfundoi mbrojtësi kavajas.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"