Sfida me Partizanin në fundjavë, regjim kazerme para kampionëve te Bylisi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2019 | 16:00

Sfida me Partizanin në fundjavë, regjim kazerme para kampionëve te Bylisi

Ballshiotët do të luajnë të shtunën një ndeshje mjaft të rëndësishme ndaj Partizanit, e vlefshme për javën e 14-të të Superiores. Në Ballsh kërkojnë kthesën pas dy humbjeve, me Skënderbeun dhe Kukësin, aq më tepër që luajnë në fushën e tyre.bylis

Trajneri Dovedan dhe skuadra nga dje kanë nisur të punojnë konkretisht vetëm për ndeshjen me të kuqtë, ndërsa presidenti Besnik Kapllanaj është duke i qëndruar afër ekipit. Duke ditur rëndësinë e sfidës, nga dje lojtarët janë grumbulluar në kompleksin “Gjanica”. E vetmja mungesë do të jetë ajo e mbrojtësit Ymeralilaj, që edhe këtë javë do të vazhdojë të mos jetë pjesë e grupit të trajnerit Dovedan.

Mungesa e tij ka krijuar jo pak probleme te ballshiotët në linjën e djathtë, aty ku kanë luajtur Ntepe e Hadroji. Bylisi i surprizoi kampionët në ndeshjen e parë, duke marrë një pikë në transfertë, ndërsa për këtë javë duan të marrin më shumë ndaj tyre dhe jo më kot drejtuesit kanë vendosur regjim kazerme për ekipin.Bylis

DONACIONI – Pas ndihmave dhe një shume monetare të dhuruar pak ditë më parë, sërish financuesit e Bylisit kanë dhënë ndihma për banorët e prekur nga tërmeti i datës 26 nëntor. 10 mijë euro është shuma e familjes Kapllanaj, ndërkohë që mjetet e tonazhit të rëndë të firmës së tyre i vënë në dispozicion të fondacionit “Firdeus”, nëse u kërkohen.

Ky donacion u bë direkt në emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” që transmetohet në “News 24”. Ky është një gjest fisnik bamirësie i financuesve të futbollit ballshiot, të cilët gjejnë mundësi për t’u ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga fatkeqësia e fundit natyrore që preku disa zona të vendit tonë.

Erjon Saliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"