Sfida me ballshiotët, Bruka: Duhet kujdes, Bylis është favorit!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2022 | 11:30

Sfida me ballshiotët, Bruka: Duhet kujdes, Bylis është favorit!

Besëlidhja ka mbyllur përgatitjet anti-Bylis, ndeshje që do ta luajë sot në Ballsh. Kjo transfertë ngre siparin e fazës së dytë të kampionatit të Kategorisë së Parë dhe synimi i lezhjanëve është që të mos dalin pa pikë.

alban bruka

Pozitat nuk i kanë aspak të favorshme në renditje, ndaj Alban Bruka kërkon një sforco nga ekipi. Trajneri e ka të qartë se vendësit janë të favorizuar, por nuk i humb shpresat. Në prononcimin e dhënë një ditë para këtij 90- minutëshi për “Panorama Sport”, ai tha:

“Pas tri javësh përgatitjesh, nesër (sot) rinisim kampionatin. Fazën e dytë e fillojmë në transfertë dhe vështirësia dihet, madje unë e quaj një nga ndeshjet më të rëndësishme.

Së pari, përballë kemi ekipin që kryeson prej javësh tabelën dhe logjikisht do të luftojë për ta mbajtur këtë pozicion. Së dyti, kanë avantazh fushën dhe kjo shton rrezikshmërinë.

Për ne është e rëndësishme pasi do të shohim formën e futbollistëve të ardhur nga merkatoja e janarit dhe reagimin e ekipit të ndërtuar për fazën e dytë.

Diferenca e pikëve dhe pozicionet në tabelë ne na klasifikojnë në disavantazh, por shpresoj që në fushë të shkojë ndryshe.

Ne e kemi vlerësuar maksimalisht Bylisin pasi gjithçka flet në favor të tij, por edhe ne do të luftojmë me gjithë forcën që kemi në dispozicion për të marrë qoftë edhe një pikë, e cila do të na jepte kurajë për vazhdimësinë.

Tani sapo nisim gjysmën e dytë të rrugës, ndaj na duhet shumë kujdes në mënyrë që ta shpëtojmë Besëlidhjen nga rreziku i rënies”, përfundoi trajneri.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"