“Sërish shumë gabime dhe të fjetur në pjesën e dytë, jam në tension para Venecias”, Alegri në alarm: S’dimë të shënojmë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 9, 2021 | 8:51


“Sërish shumë gabime dhe të fjetur në pjesën e dytë, jam në tension para Venecias”, Alegri në alarm: S’dimë të shënojmë!

Ndonëse me një formacion eksperimental dhe të mbushur me shumë të rinj, kush mendonte se Masimiliano Alegri do të kishte qenë i lumtur pas fitores me Malmon, atëherë gabohet rëndë. Trajneri i Juventusit ka shumë kritika për ekipin e tij dhe sidomos për gabimet që vazhdojnë të përsëriten në fazën sulmuese:

ALEGRI 1

“Dua ta nis duke thënë se jemi shumë të lumtur për vendin e parë në grup, pasi kjo tregon që në Champions të fitosh nuk është asnjëherë e lehtë, përkundrazi.

Gjithsesi, ky është problemi më i vogël dhe nuk dua të mendoj asgjë lidhur me shortin e së hënës, pasi ajo që më tremb është vetëm realiteti dhe fakti që ne ende vazhdojmë të përsërisim të njëjtat gabime. E pata nënvizuar fort pas fitores me Xhenoan se gabuam pa fund në fazën sulmuese, por kundër Malmos ishte edhe më keq.

Sepse, në këtë ndeshje, jo vetëm që shpërdoruam sërish dhe nuk e mbyllëm asnjëherë takimin, por në të njëjtën kohë çuam dëm edhe disa kundërsulme të vlefshme.

Për mua si profesionist, kjo do të thotë vetëm diçka: Ne nuk dimë ende se si shënohet dhe diçka e tillë më vë shumë në presion, në pritje të transfertës me Venecian në kampionat.

Jam nervoz, sepse nëse në pjesën e parë gabuam 2-3 raste të pastra për golin e dytë, në fraksionin e dytë të lojës ishim totalisht të përgjumur dhe nuk mund ta pranoj një përqendrim aq të plogësht.

Vërtet ishim shumë agresivë në fillim dhe kjo më pëlqeu, duke gjetur shpejt edhe golin. Por, kur mendoj se në çfarë mënyrë absurde nuk arrijmë të finalizojmë me saktësi përpara portës rivale, duke pasur edhe hapësirë dhe kohë për të goditur të qetë kundërshtarin, kjo është diçka të cilën nuk do ta toleroj më, sepse kundër Venecias duhet cinizëm për të fituar, diçka që na mungon aktualisht”.

Përgatiti: JETON STAMOLLA