Seria A/ Froni që kalon nga golat, Milan, Inter & Co në duart e sulmuesve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2022 | 13:57

Seria A/ Froni që kalon nga golat, Milan, Inter & Co në duart e sulmuesve

Nis sot gjuetia e thesarit për titullin e Serisë A, një rrugëtim që pritet të jetë ndryshe nga çdo herë tjetër falë Botërorit të zhvilluar në nëntor–dhjetor, që në fakt do t’ia shtojë dozat e emocionit këtij sezoni të gjatë, ashtu si ato të paparashikueshmërisë. Por përveç të panjohurave që mund të sjellë kjo rrugë, në fund ngelet një e vërtetë absolute: kush shënon, fiton.

vlahovic-giroud-lukaku-serie-a-2022-23

Jo më kot të gjithë pretendentët kanë perfeksionuar mekanizmat që të çojnë te goli, qoftë finalizuesit, qoftë asistuesit. Në start, le të bëjmë një bilanc të reparteve ofensive, që frymëzohen nga ata të sezonit të shkuar, për të parë deri ku mund të mbërrijnë favoritët kryesorë.

MILANI 69 GOLA (2021-2022)- Zhiru frymëzohet nga poetë të rinj. Leao… Zhiru e Leao kanë qenë të vetmit që kanë shënuar mbi 10 gola te Milani kampion, që ka shënuar 15 gola më pak se Interi, por më rezultativë. Ibra dhe Origi jo në formë e kanë bërë francezin padron të rolit dhe ai ka treguar që në fazën përgatitore se është gati. Sezonin e shkuar furnizuesi kryesor me asiste ishte Leao me 3 të tillë, ndërkohë që Diaz i ofroi vetëm 1.

Jo më kot mbërritën Adli e De Ketelare që mund ta ndihmojnë të gjejë golin më shpesh, madje edhe Mesias që ka pasur një verë të mirë. Garanci ama ngelet loja e Milanit, superiore ndaj rivalëve. Të gjithë bashkëpunojnë dhe këtë e kanë treguar edhe 2 asistet e Kalabrias. Pastaj nëse do të shkojmë tek arma shtesë dhe fituese, do të kërkojmë Leaon, që nëse bën një hap më tej në ligësinë para portës, nuk përjashtohet të jetë ai bomberi i Milanit.

INTER 84 GOLA (2021-2022) – “LuLa” dhe asistet e Çalhas “Lukaku në Itali bën diferencën”. E ka thënë Roberto Mançini dhe belg duhet ta konfirmojë edhe një herë. 47 gola në dy sezonet e mëparshme, por këtë herë nuk do të ketë Hakimin ose Perisiçin për ta shërbyer, por në fakt do të ketë dy të tjerë. Çalhanoglu dhe Barela kanë koleksionuar secili nga 12 asiste, asnjë skuadër s’ka pasur dy lojtarë të tillë në këtë kampionat dhe do të jenë gati për t’i shërbyer belgut dhe shokut të tij të repartit, Lautaro, që nga ana e tij është vetë një asistues.

Romelu do të përfitojë edhe nga stili i lojës së Inzagit, që nuk do t’i sjellë më aq probleme në mbrojtjet e mbyllura sa loja e Kontes. Që te ky Inter belgu ka gjetur një makineri golash, këtë e konfirmojnë numrat e sezonit të shkuar ku zikaltrit kanë qenë të parët për sa u përket golave, goditjeve, prekjeve në zonë, rasteve të krijuara. Nëse shtojmë edhe dëshirën e Lukakut për të rifituar besimin e të gjithëve, kemi kështu kandidatin e parë për “Këpucën e Artë”.

JUVENTUS 57 GOLA (2021-2022) – Di Maria e Kostiç “ushqejnë” Vlahoviçin e uritur Për të nxjerrë në pah potencialin e Dushan Vlahoviçit, Juventusi ka sjellë dy mjeshtra të asisteve si Di Maria e Kostiç. Në një Juve që momentalisht është e mbushur me probleme, Vlahoviç ngelet ende i plagosur nga ai sezon me dy fytyra që me Fiorentinën e pa të shënonte çdo 109 minuta, ndërkohë që me bardhezinjtë shkoi në 154 minuta.

Por çdo gjë pritet të ndryshojë, sidomos me kthimin në fushë të Pogbasë dhe Kiezës, që pritet t’i bëjë bardhezinjtë të argëtohen. Nëse pastaj do të mbërrijë në regji një si Paredes që lufton dhe ideon, goli për Vlahoviçin do të jetë lojë fëmijësh dhe titulli i golashënuesit nuk do të jetë larg. Gjithmonë nëse Alegri i jep një tjetër hov lojës së tij, pasi për goditjet në portë dhe prekjet në zonë, Juventusi ishte i fundit në sezonin e shkuar.

NAPOLI 74 GOLA (2021-2022) – Osimhen vrapon e Kvara driblon Një skuadër e gjitha vertikale ajo e Spaletit, me Viktor Osimhenin që furnizohet më së miri nga krahët, ashtu si ka treguar sezonin e shkuar. Osimhen ka humbur Insinjen, por në të majtë ka mbërritur një që sipas napolitanëve i driblon kundërshtarët si birila. Bëhet fjalë për Kviça Kvaratskelian që pritet të jetë ndër më të rëndësishmit e “Axurrëve” bashkë me Lonzanon në korsinë tjetër që flet të njëjtën gjuhë.

Prova e Napolit është vazhdimësia, që nëse e kalon nuk do të jenë të thjeshtë për t’u mposhtur, sidomos nëse mbërrin edhe Raspadori. Nga ana tjetër Zielinski e Fabian janë nga ata që imponojnë thellësi, jo më kot asnjë skuadër nuk ka shënuar më shumë se Napoli nga jashtë zone sezonin e shkuar. Në fund ama njeriu gol ngelet Osimhen që nëse i shton pjekuri talentit dhe 23 viteve të tij, do të jetë i pandalshëm.

ROMA 59 GOLA (2021-2022) – Magjitë e Dibalës dhe topi në rrjetë i Abrahamit Sezoni i parë i Abrahamit ishte një mrekulli, aspak i lehtë për një djalosh 24-vjeçar anglez që e ka herën e parë që luan në Itali. Murinjo ka karikuar gjithë Romën pas shpatullave të Tamit, që ka gjetur 17 herë golin duke qenë vendimtar, aq sa për 5 ndeshje që nuk ka shënuar, verdhekuqtë nuk kanë marrë asnjë fitore.

Të tillë romanët e presin edhe në sezonin që po nis, gjatë së cilit duhet të gjejë gjuhën me Dibalën, që ndryshe nga Mikhitarian do e rrëshqasë topin më ngadalë dhe në zona më të ngushta. Zaniolo nuk dihet ende nëse do të jetë, por “La Joya” dhe Pelegrini i mjaftojnë Abrahamit për të krijuar atë trekëndësh që shoqëruar edhe nga inkursionet e Spinacolës do të frikësojë kundërshtarët. Roma e Murinjos duhet t’u japë vijimësi paraqitjeve të verës: të shënojë gola që vlejnë 3 pikë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"