Serbët zënë mend me Bogdanovin, e detyrojnë të ndjekë kombëtaren nga komisariati

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2017 | 18:34

Serbët zënë mend me Bogdanovin, e detyrojnë të ndjekë kombëtaren nga komisariati

Federata Serbe e Futbollit dhe autoritetet përgjegjëse për ruajtjen e rendit në Serbi duket se kanë zënë mend në lidhje me prezencën e tifozëve huliganë gjatë ndeshjeve të ekipit kombëtar.

bogdanov

Në takimin e mbrëmjes së sotme mes Serbisë dhe Uellsit në Beograd, i vlefshëm për kualifikueset e Kupës së Botës “Rusi 2018”, nuk do të lejohet të jetë i pranishëm në stadium asnjë tifoz që ka precendentë në polici për sjellje të dhunshme gjatë ndeshjeve të futbollit.

Një prej tyre i përfshirë në listën e të ndaluarve është huligani i njohur Ivan Bogdanov. Ai fitoi famë në vitin 2010 me trazirat e shkaktuar në Xhenoa gjatë ndeshjes Itali-Serbi, ndërkohë që ishte një nga tifozët më problematikë edhe gjatë ndeshjes së 14 tetorit 2014 mes Serbisë dhe Shqipërisë, pavarësisht se prej vitesh e ka të ndaluar të futet në stadium gjatë ndeshjeve të përfaqësueses së vendit të tij.

Sot, gjatë orarit të ndeshjes Serbi-Uells, ai duhet të paraqitet në një prej komisariateve të policisë dhe duhet të qëndrojë aty derisa të përfundojë takimi. Në rast se Bogdanov nuk e bën diçka të tillë, atëherë për të do të lëshohet urdhër arresti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"