Sentamu harron të kthehet nga Uganda, Ze Maria në hall, pa “bombera” në Ballsh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2018 | 17:56

Sentamu harron të kthehet nga Uganda, Ze Maria në hall, pa “bombera” në Ballsh

Junus Sentamu shqetëson Tiranën. Zyrtarisht, sot futet në ditën e 17-të të pushimeve. U largua drejt Ugandës për të luajtur dy ndeshjet me përfaqësuesen e tij, por duket se ka harruar të kthehet. Vonesa vjen për çështje procedurash dhe në klub thonë që do të kthehet shumë shpejt, por se kur, as nga ata vetë nuk dihet konkretisht. Kur po afron “finalja” e Superiores, në kampin kryeqytetas shtohet ankthi.

sentamu

DËNIMI – Edhe nëse ugandezi vjen nesër, vështirë se Ze Maria do të tregohet “zemërgjerë”, duke e aktivizuar përballë Bylisit. Maksimumi që mund të bëjë braziliani, është që t’i japë ndonjë minutë si zëvendësues. Kur njihet karakteri i trajnerit brazilian, që në formacion përfshin vetëm ata që angazhohen në çdo seancë stërvitore, vështirë se do t’i kthejë sytë nga një lojtar që ka më shumë se dy javë që nuk e ka nën urdhra. Nuk është e para herë që Junus Sentamu vonohet.

Kujtojmë që edhe fazën përgatitore e nisi me vonesë. Skuadra kishte ditë në Turqi, ndërsa ai iu bashkua me vonesë për një dëshmi penaliteti. Sikur të mos mjaftonte kjo, edhe kthimi nga Antalia u shoqërua me peripeci dhe pikërisht për çështje vizash. Ndaj, nuk përjashtohet mundësia që edhe këtë herë të përsëritet historia. Procedurat në këtë rast do i vuajë vetëm Tirana, e cila me këtë ritëm duhet të bëjë llogaritë jo vetëm pa Majkëll Ngoonë (që do të operohet këto ditë), por edhe pa Junus Sentamunë. Pa dy shënuesit më të mirë, bardheblutë duhet të përballojnë të vetmin rival që kanë pasur këtë sezon. Edhe pse nuk është provuar 11-shi “tip”, gjasat janë që në fushë të zbresin të njëjtët titullarë si ndaj Apolonisë, pra, me Muçin në majën e sulmin, i mbështetur prej Halilit e Grecës.

PORTIERI – “Bllokimi” i sulmuesit në Ugandë nuk është i vetmi shqetësim për Ze Marian. Edhe pse Ilion Lika po vazhdon stërvitjet normalisht, duhet thënë që nuk është rikuperuar plotësisht. Mësohet se portieri ndien ende një dhimbje të lehtë në gju, ndaj deri ditën e ndeshjes pritet që të vendoset sesi do të reagojë. Edhe pse Alesio Abibi bëri një paraqitje të mirë me Apoloninë, stafi teknik shpreson që të shtunën t’ia besojë katërkëndorin 37-vjeçarit, i cili falë eksperiencës ofron shumë më shumë garanci.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"