Sefa i kthehet Barushit: Ke një muaj që gënjen, hoqën kë kërkonte rrogën. Ja mashtrimet te Dinamo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2020 | 10:24

Sefa i kthehet Barushit: Ke një muaj që gënjen, hoqën kë kërkonte rrogën. Ja mashtrimet te Dinamo

Largimet e fundit kanë trazuar ujërat te Dinamo. Erxhan Muça dhe Jetmir Sefa akuzuan se “divorci” erdhi për shkak të vonesës së rrogave, ndërsa në klub e mohuan një gjë të tillë. Ishte zyrtari i bluve, Ermal Barushi, që hodhi poshtë pretendimet e futbollistëve. E megjithatë, kundërpërgjigjja nuk ka vonuar. Për “Panorama Sport” është sërish Jetmir Sefa që flet, duke i cilësuar mashtrime fjalët e zyrtarëve të bluve. 

jetmir sefa

Mesfushori tregon detaje kompromentuese në marrëdhëniet mes palëve. “Kur erdhën italianët, premtuan gjëra të madha, jo do rregullohen kushtet e do rriten rrogat. Por në të vërtetë rrogat u ulën. Janë plot 12 futbollistë me 150 euro pagë mujore. Ka më keq se kaq… I fusin të gjithë në një thes, është gjynah të paguash një lojtar në Kategori të Parë me këtë shumë dhe aq më tepër kur ua jep një rrogë në tre muaj. Ja pra, të gjitha këto ranë si ‘rëra në ujë’. Asnjë prej këtyre premtimeve nuk u mbajt. Janë të çuditshëm, një drejtor italian më tha: ‘Do duhet të shënosh 2 gola në 4 ndeshje që të rritet rroga’. Boçit pastaj i thanë: ‘Nëse merr karton të verdhë do të mbahet gjysma e rrogës’. Kuptoni çfarë absurditeti! Tani të vijmë te rrogat e mia”, thotë fillimisht 33-vjeçari.

sefa

AKUZAT PËR NDASI

Jetmir Sefa zbulon edhe një rast kur i është dashur ta ndajë rrogën me shokët. “Në fillim kur morën ekipin, para një ndeshjeje të rëndësishme, erdhën na dhanë nga një rrogë vetëm tre vetëve, mua dhe dy të tjerëve. Më thanë që presidenti do vinte ditën e ndeshjes dhe do ua jepte dhe të tjerëve, por nuk erdhi. Duke parë situatën, rrogën time 400 euro e ndava. 100 i mbajta për vete dhe 300 ua shpërndava çunave. E kuptoni çfarë gjendjeje! Janë selektivë. Më pas i kanë sjellë Edmondit lekët, por morën vetëm 14 të tjerë dhe jo të gjithë. Lojtarët si Spahija, Prendi, Allmeta, Ismailaj janë larguar për mospagesa. Më saktë, në momentin që kur u kanë kërkuar rrogat i hoqën. Për Vitin e Ri nuk dhanë asnjë rrogë, asnjë lek, është turp, kishim dy muaj pa i marrë”, rrëfeu lojtari.

Barushi

REPLIKË BARUSHIT 

Përfaqësuesi i palës italiane, Ermal Barushi, mohoi të kishte të tilla probleme. E megjithatë, është vetë Sefa ai që i kundërpërgjigjet ish-arbitrit anësor të FIFA-s. Ai i cilëson që të gjitha mashtrime, ndërsa thekson se kurrë nuk i kishin ndodhur të tilla gjëra në karrierë. “Tani vijmë te rrogat tona. I thoni Barushit ‘Nuk t’i kërkuam ne rrogat, pasi ke një muaj që na ke thënë vetë dhe ke gënjyer çdo ditë, jo sot e jo nesër’. Ishte Barushi që na lajmëroi që para ndeshjes me Kastriotin se do të vinte presidenti në orën 18:00 më pas çon SMS jo do vijë në orën 10:00. Erdhën, por nuk folën fare as për rrogat e as nuk na mblodhën. Nuk u fol farë as për ndeshjen, duke qenë se ishte një ndeshje e vështirë. E plot ngjarje të tjera. Mashtrime sa të doni. Asgjë që thonë nuk qëndron. Keni gjithë ekipin, merrni të gjithë lojtarët shqiptarë të larguar dhe ata që kanë qenë dhe pyetini. Është hera e parë në kaq vite sport që më ndodhin gjëra të tilla”, përfundon mesfushori i larguar tashmë nga Dinamoja.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"