“S’do firmosim me Mbapenë apo Bellingamin”, pronari i Junajtid zbulon strategjinë e merkatos së tij

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2024 | 21:11

“S’do firmosim me Mbapenë apo Bellingamin”, pronari i Junajtid zbulon strategjinë e merkatos së tij

Sër Xhim Retklif ka zbuluar se ai dhe ekipi i tij i “Ineos” nuk do ta rikthejnë Mançester Junajtidin duke shpenzuar para për yjet më të mëdhenj të futbollit. Blerja e pakicës së aksioneve prej 1.3 miliardë paundësh nga biznesmeni britanik, e ka bërë atë, së bashku me Sër Dejv Breilsford, të marrin kontrollin e operacioneve të futbollit në “Old Trafford” dhe rekrutimi është një fushë që ata po kërkojnë ta korrigjojnë.

skysports-sir-jim-ratcliffe_6361363

Supet janë ngritur për shumat e mëdha të shpenzuara për lojtarë të tillë si, Kasemiro (70 milionë £) dhe Antoni (86 milionë £) dhe Retklif është i prirur të marrë një qasje të re në një përpjekje për ta rikthyer Junajtidin në krye. I pyetur nëse “djajtë” duhet të përpiqen të nënshkruajë me superyllin e Anglisë dhe Realit të Madridit, Xhud Bellingam, Retklif tha në podkastin e Geraint Thomas: “Ai është një futbollist i madh, por nuk është këtu ku është fokusi ynë. Zgjidhja nuk është të shpenzoni shumë para për disa lojtarë të mëdhenj.

E kanë bërë këtë, që po të shikosh 10 vitet e fundit, kanë shpenzuar shumë para. Gjëja e parë që duhet të bëjmë është të gjejmë njerëzit e duhur në pozicionet e duhura, të cilët po menaxhojnë dhe organizojnë klubin dhe të sigurohemi që ne të arrijmë rekrutimin e duhur. Kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e drejtimit të një klubi futbolli, duke e bërë atë siç duhet”. Bellingam bëri një provë në terrenin stërvitor të Junajtid, “Carrington” përpara se të bashkohej me Borusian e Dortmundit në vitin 2020, me Sër Aleks Fergusonin të përfshirë në takim. Tani ai është bërë një nga lojtarët më të çmuar në futbollin botëror. Emri i Kilië Mbapesë u shfaq më vonë gjatë intervistës së Retklif, por pronari dëshiron të ndjekë një rrugë tjetër në krye të klubit:

“Më mirë do të gjeja Mbapenë e radhës. Në vend që të shpenzoni një pasuri për të blerë suksesin, nuk do të ishte aq e mençur të shkosh dhe të nënshkruash me Mbapenë, çdokush mund ta kuptojë këtë. Ajo që është më sfiduese është të gjesh Mbapenë e radhës, Bellingamin e ardhshëm, Roi Kinin e ardhshëm”. Klubi nuk bëri asnjë nënshkrim në janar dhe kuptohet që në verë do të fokusohet në zbarkimin e talenteve të rinj vendas. Retlif, Breilsford dhe pjesa tjetër e skuadrës së operacioneve të futbollit, e cila do të përfshijë administratorin e ardhshëm, Omar Berrada, kanë detyrën të rishikojnë një skuadër me performancë të dobët.

Në janar pati një mori largimesh me lojtarë si Doni van de Bek (Frankfurt, huazim), Xhejdën Sanço (Borusia Dortmund, huazim), Fakundo Pelistri (Granada, huazim) dhe Isak Hansen-Aroen, u shit te Verder Bremeni për një tarifë të pazbuluar.

Dhe kështu, pavarësisht nëse Erik ten Hag do të vazhdojë të jetë në stol apo jo, ka nënshkrime që duhen bërë për të ndihmuar “djajtë” të kapërcejnë hendekun me Mançester Sitin, Liverpulin dhe Arsenalin në garën për titull. I pyetur se cilin ish të madh të klubit ai do të sillte në ekipin aktual në kulmin e tyre, Retklif as që hezitoi: “Unë do të sillja Pol Skollsin. Ky është lojtari që mungon më shumë. Ata nuk janë Roi Kin, por kanë Kasemiron dhe Kobi Mainonë, të cilët janë më mbrojtës. Ata nuk kanë një Skolls, një (Andres) Iniesta”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"