Rrëfimi i presidentit të Besëlidhjes, Gjok Noka: Bëjmë superekip me Plorin, dua burra dhe jo… matrapazë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2019 | 20:38

Rrëfimi i presidentit të Besëlidhjes, Gjok Noka: Bëjmë superekip me Plorin, dua burra dhe jo… matrapazë

Një tranzicion i tejzgjatur ky i Besëlidhjes në Kategorinë e Parë. Skuadra lezhjane, nga ato me më shumë traditë në grupin e saj, është në përpjekje të vazhdueshme për rikthimin në elitë dhe tashmë shpresohet se ka ardhur moment i duhur për realizimin e këtij objektivi.

gjok noka

Presidenti Gjok Noka, i cili investon për Besëlidhjen prej 9 vitesh, thekson në një prononcim për “Panorama Sport” se me ardhjen e trajnerit Elvis Plori është bërë hapi i parë i rëndësishëm për skuadrën pretendente. Kreu i lezhjanëve prek me radhë të gjitha temat që kanë të bëjnë me Besëlidhjen e sezonit të ardhshëm, ndërkohë që bën apel për ndryshimin e skemës së kampionatit dhe për shtimin e numrit të lojtarëve të huaj në fushë.

PLORI

“Lëvizja e parë që kemi bërë është trajneri i ekipit të sezonit të ri. Kemi marrë një trajner të mirë, një djalë shumë punëtor si Elvis Plori, tek i cili kam shumë besim se do të arrijmë objektivin e ngjitjes në Superiore. Gradualisht do të bëjmë lëvizjet e tjera, plotësimin e grupit të futbollistëve me ata elementë që na duhen. Kam bindjen se me Plorin do të ndërtojmë një superekip, që do të jetë pretendenti kryesor për vendin e parë në grup”, ka thënë fillimisht presidenti i Besëlidhjes.

Gjok Noka

LOJTARËT

“Ka kohë për t’i bërë gjërat si duhet, me radhë. Do të bëjmë afrime patjetër, por dua të them se 80% të ekipit e kam. Kam djem shumë të mirë në skuadër. Më pëlqejnë lojtarët burrërorë dhe të tillë do të kërkojmë, nuk dua matrapazë në ekip. Po shohim të gjitha mundësitë, edhe lojtarë të huaj. Kam disa shkodranë, mund të ketë edhe të tjerë. Na duhen disa lojtarë me përvojë, nga ata që të bëjnë diferencën dhe ta udhëheqin Besëlidhjen drejt Superiores. Kam shumë besim se do të kemi skuadrën që duam para nisjes së kampionatit. Deri tani ka pasur shumë fjalë dhe objektivi nuk është arritur, të shohim këtë herë. Me shumë punë dhe me Plorin në krye, them se skuadra do t’ia arrijë qëllimit”, shton Noka.

MUNGESA E GJATË

“Po, është një kohë e gjatë që Besëlidhja është jashtë Superiores. Kam 9 vjet në krye të saj dhe kam bërë gjithë përpjekjet, por dihet si kanë shkuar punët. Kemi qenë afër dy herë, por nuk ia kemi dalë. Ju siguroj se nuk i kam mbetur kujt asnjë qindarkë borxh gjatë kësaj periudhe, asnjë futbollisti apo trajneri. Tani dua që të kthehemi më në fund në Superiore”.

SKEMA-TË HUAJT

“Skema duhet të ndryshojë, është ajo që duan të gjithë. Vendi i dytë meriton të luajë të paktën ndeshjen e ‘play-off’-it, që ka lezetin dhe bukurinë e vet. Le ta fitojë kush ta meritojë këtë ndeshje, sepse ka një fitues dhe një humbës, por ama vendi i dytë e meriton ta ketë edhe një shans. Për shembull, sezonin e kaluar ishte Vllaznia në grupin tonë. Dihet cila është Vllaznia, emri dhe tradita e saj. Vendi i parë ishte i saj, po të tjerët? Pse të mos e kishin edhe një shans për të shkuar në Superiore? Ne kërkojmë që të shtohet edhe numri i lojtarëve të huaj në fushë, të bëhet të paktën 5 të huaj në fushë. Kampionati është shumë i gjatë, ka vend edhe për lezhjanin, edhe për të huajin. Ne po kërkojmë lojtarë cilësorë edhe nga tregu i huaj, kështu që duam të kemi sa më shumë prej tyre në fushë”, ka përfunduar presidenti i lezhjanëve, Gjok Noka.

FATJON RUPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"